Apolonia me trajner të ri, Miho: Kam projekte ambicioze

Trajneri i ri nis zyrtarisht nga puna. Skuadra e sezonit të ardhshëm pritet që të jetë më solide

Nikel Mbriçaj

Në klubin fierak këto ditë ka shumë zhurmë. Drejtuesit e Apolonisë janë përqendruar tërësisht te merkato e kësaj periudhe për të afruar disa lojtarë cilësor e me përvojë. Ata po kërkojnë të ndërtojnë një skuadër sa më të fortë e cilësore. Në planet e tyre janë edhe rikthimi i disa prej lojtarëve fierakë që sezonin e kaluar janë aktivizuar me skuadra të tjera. Ata kanë negociuar e biseduar me ta por pa arritur ende në një dakordësi dhe kjo për shkak të mungesës së kushteve dhe anës financiare të ulët që u kanë premtuar. Të gjitha këto kanë bërë që të paktën deri tani të mos ketë asnjë afrim të ri dhe asnjë firmosje të re kontrate. Megjithatë, puna për rikthimin e këtyre lojtarëve por dhe afrimin e lojtarëve të tjerë cilësor e talente qofshin dhe në moshë të re do të vazhdoj dhe në ditët në vazhdim.

Trajneri – Fillimi i javës së re ka sjellë risi në klubin e futbollit fierak, pasi është prezantuar trajneri i ri i Apolonisë, Mariol Miho, dhe stafi i tij teknik. Në krye të pankinës fierake, për sezonin futbollistik 2018-2019 do të jetë një emër i njohur që drejtoi me sukses sezonin e shkuar ekipin e Albpetrolit duke e futur atë në kuota profesionale stërvitore dhe ndeshjesh ku fitoi besimin e simpatinë jo vetëm të drejtuesve e lojtarëve, por edhe të tifozëve të qytetit naftëtar të Patosit. Ai punoi me mish e shpirt dhe duke sakrifikuar së bashku me stafin e tij teknik duke arritur që të zhvilloj një kampionat shumë të mirë me lojëra cilësore dhe arritjen e rezultateve të suksesshme që prunë dhe rikthimin e tifozerisë së larguar më parë në shkallët e stadiumit. Trajneri Miho u largua nga ekipi i Albpetrolit në përfundim të kampionatit duke pasur një ofertë të re për të drejtuar ish-ekipin e tij të zëmrës Apoloninë, të cilën ai e pranoi me kënaqësi. “Për mua do të jetë një test dhe një provë të cilën dua ta fitoj, pasi u besoj aftësive gatishmërisë dhe profesionalitetit tim. Ajo që më mbush me më shumë besim për të ardhmen është se ndryshe nga sezoni i kaluar kur isha në krye të Albpetrolit eksperienca e fituar do të më vlejë shumë në sezonin e ri. Së bashku me ndihmën e të gjithëve në skuadër, por dhe të drejtuesve të klubit por më së shumti me punën tonë të përditshme shpresoj në arritjen e suksesit”, – është shprehur trajneri i ri i ekipit të Apolonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *