Apolonia, kompletimi gjatë rrugës…

0

Skuadra fierake nis sot zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, ndërkohë që fytyra të reja priten në grupin e lojtarëve, por edhe në stafin teknik

 

Altin Kuko

 

Apolonia zbret sot në fushën e blertë, duke nisur kështu përgatitjet e sezonit të ri, që e gjen atë në grupin e jugut apo në grupin “e hekurt” të Kategorisë së Parë. Klubi bardhejeshil ka synime të qarta për të qenë në Superligë pas një sezoni në të parën, ndaj dhe po mendohet shumë seriozisht për një skuadër sa më kompetitive.

Gjatë kësaj periudhe drejtuesit kanë punuar në heshtje për të afruar ata elementë, që i duhen skuadrës për të qenë e kompletuar në çdo repart. Largimet e Andi Ribajt dhe Adekunles kanë krijuar boshllëqe, që drejtuesit fierakë duan t’i mbushin menjëherë. Për sulmin ata kanë piketuar lushnjarin Fatjon Sefa, i cili është një lojtar me shumë përvojë, por në këtë rast duhet të mposhtin konkurrencën edhe me ndonjë skuadër të Superligës.

Një tjetër emër i lakuar është ai i beratasit Sharavolli, i cili pritet të forcojë mesfushën, por sigurisht që Apolonia nuk do të mjaftohet me kaq, pasi sezoni i ardhshëm do të jetë shumë i ashpër dhe i vështirë. Trajneri Artan Mërgjyshi ka menduar të afrojë 3-4 lojtarë, pasi kërkon të ketë sa më shumë siguri në lidhje me objektivin e kthimit në Superligë.

Mbetet për t’u parë, nëse sot, në ditën e parë të stërvitjes, do të jenë të gjithë lojtarët që janë nën kontratë, por do të ketë ndonjë vonesë. Fierakët kanë planifikuar të stërviten në qytetin e tyre deri në fund të muajit dhe më pas do të zhvendosen në një vend më të përshtatshëm jashtë vendit, me shumë mundësi në Slloveni, ku do të qëndrojnë për një periudhë 2-3 javore.

NDRYSHIMET NË STAF – Nga sa është thënë kohët e fundit nga ana e drejtuesve të klubit fierak, është lënë të kuptohet se ndryshimet do të prekin edhe stafin teknik të Apolonisë, sigurisht, përveç trajnerit Mërgjyshi, tashmë të konfirmuar. Në asnjë rast nuk janë përmendur emra dhe me nisjen e përgatitjeve do të mësohet më shumë se cilat do të jenë konkretisht këto ndryshime, që pritet të prekin ndihmësit e kryeqytetasit.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.