Apolonia e Tomori, “paqe” para startit

Krasniqi për skuadrën e Kashamit dhe Çaço për miqtë janë autorët e golave në testin e djeshëm

Apolonia – Tomori 1-1

Shënues: Krasniqi 13′ / Çaço 38′

APOLONIA: Çako, Braka, Kuçi, Broshka, Velo, Andoni, Troka, Llambi, Dimo, Prifti, Krasniqi. (U aktivizuan: Hasfatia, Duda, Sota, Komdakçiu, Velaj, K. Mehmeti, Bocaj). Trajner: N. Kashami.

TOMORI: Kaloshi, Paja, Bitri, Daci, Hoxha,  Çaço, Mirani, Hajdinaj, Koleci, Myzyri, Onu. (U aktivizuan: Haxhi, Kopaçe, Drabo, Biba, Xherimeja, Mersini, Tirka, Sharavolli). Trajner: S. Dule.

GJYQTARË: E. Sino (K. Cjapi), I. Llupi, D. Konomi (Fier).

Bujar Rama

Apolonia dhe Tomori kanë barazuar 1-1 në miqësoren e radhës, zhvilluar në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” në Fier. Ka qenë një ndeshje e ekuilibruar dhe thuajse e barabartë, çka e dëshmon dhe rezultati përfundimtar. Janë beratasit, që rrezikojnë të parët në minutën e 8-të. Myzyri ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi, të cilën Çako e grushton me vështirësi dhe topi prek traun e portës fierake. Kundërpërgjigjen bardhejeshilët. Aksion nga e majta i Apolonisë, ku Velo adreson saktë te Dimo, i cili kroson në zonën kundërshtare, ku Krasniqi gjuan saktë me kokë dhe kalon të tijtë në avantazh. Pak çaste më vonë, është Miraka, që për pak barazon për Tomorin. Në minutën e 23-të, Krisel Prifti gjuan fort, por Kaloshi largon në korner. Pastaj është kapiteni Dimo, që provon portën direkt nga këndi, por sërish grushton portieri mik. Në minutën e 38-të, beratasit organizojnë një sulm të shpejtë. Pasi final gjen kapitenin Çaço, i cili gjuan saktë me të djathtën brenda zonës dhe barazon rezultatin. Në minutat e mbetura, Tomori luan më mirë dhe ka mundësi të tjera shënimi, por shifrat nuk ndryshojnë.

PJESA E DYTË – Ka thuajse të njëjtin ritëm. Lojë e balancuar dhe këmbëngulje nga të dyja ekipet për të zotëruar mesfushën. Fierakët bëhen pak nga pak më të rrezikshëm, falë eksperiencës së një lideri si Dimo, i kudondodhur në fushë. Është pikërisht kapiteni i Apolonisë, që gjuan fort në hyrje të zonës në minutën e 54-t, por grushton portieri mik. Pa kaluar as dy minuta, Prifti humbet rastin më të pastër për të kaluar në avantazh Apoloninë. I ndodhur me portën bosh, ai gjuan mbi traun e portës kundërshtare. Në minutën e 60-të, Daci, në tentativë për të kthyer një top mbrapa, për pak sa nuk shkakton autogol, por sfera përplaset në shtyllën e majtë pingule të portës beratase. Pjesa tjetër e lojës zhvillohet kryesisht në mesfushë, pa ndonjë rast të veçantë nga të dyja skuadrat, të cilat do të jenë pjesëmarrëse në të njëjtin kompeticion futbollistik gjatë këtij sezoni të Kategorisë së Parë, që starton javën e ardhshme.

Pas ndeshjes…

– Kashami, trajner i Apolonisë: “Skuadra është mirëkuptuese dhe përpiqet t’i zbatojë mirë udhëzimet taktike. Krijojmë volum loje, organizohemi mirë, por në finalizim na duhet të jemi më të qartë e më konkret. Megjithatë, absolutisht që jemi në rrugë të mbarë e do të dëshmojmë Apoloninë e duhur gjatë këtij kampionati”.

– Dule, trajner i Tomorit: “Kemi punuar mirë gjatë kësaj faze përgatitore, ku kemi zhvilluar 6 ndeshje miqësore, të gjitha në transfertë, për shkak të rikonstruksionit të stadiumit. Nuk është keq bilanci: 3 fitore, 2 barazime, 1 humbje. Edhe me Apoloninë treguam karakter, grintë e dëshirë, ishim të qartë në ofensivë dhe difensivë, por unë kërkoj më tepër. Pres që skuadra të çlirohet tërësisht dhe të jetë më efektive përpara portës kundërshtare. Ne kemi synime serioze dhe pretendojmë që të renditemi mes 2-3 skuadrave të para gjatë këtij sezoni”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *