Apeli i Shehit: Nuk i zihet besë Tiranës!

0

Leonard Trebicka

Në sallën e konferencave për shtyp të stadiumit “Skënderbeu” pritej të dilte dje trajneri Ilir Daja, por në momentet e fundit është vendosur që para gazetarëve të jetë portieri dhe kapiteni Orges Shehi. “Gardiani” i portës korçare është treguar shumë i matur në deklaratat e tij, duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e mbrëmjes së sotme. Ai ka bërë apel për kujdes të madh gjatë gjithë 90-minutëshit, sepse Tirana nuk mund të vlerësohet nga pozicioni në renditje.

– Shehi, në Korçë vjen Tirana, ndërkohë që ju keni pasur probleme me dëmtimet. Si është gjendja?

– Janë të gjitha pjesë e futbollit, pasi çdo ekip përballet me situata të tilla. Kemi pasur lojtarë me probleme për arsye dëmtimesh këtë javë, por e rëndësishme është që të gjithë thuajse jemi gati për trajnerin Daja për një ndeshje të vështirë si kjo me Tiranën. Pavarësisht pikëve dhe pozicionit që kanë dy ekipet në renditje, jam i bindur se do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Luajmë ndaj një kundërshtari, që ka një fanellë shumë të rëndë dhe ka histori në futbollin shqiptar. Tirana gjithmonë ndaj nesh ka zhvilluar ndeshje të mira dhe pozicioni në renditje besoj se nuk është real për të, për lojtarët që ka. Është një ndeshje, që kërkon impenjim dhe vlerësim maksimal.

– Në stola janë dy trajnerë, që e njohin shumë mirë kundërshtarin. Ka ndonjë domethënie ky fakt?

– Mirel Josa ka qenë trajneri ynë për 4 vjet dhe na ka çuar shumë lart, me 4 tituj dhe me kalimin historik në grupet e Europa Leagues. Ka një meritë të veçantë te Skënderbeu i këtyre 4 viteve. Besoj se ekipet tashmë kanë ndryshuar shumë dhe nuk ka ndonjë domethënie që e kemi kundërshtar në këtë ndeshje.

– E kishit menduar se në këtë pikë të sezonit Tirana do të vinte në Korçë për të kërkuar pikë mbijetese?

– Pas humbjes me Partizanin kemi pasur si objektiv të fitojmë çdo ndeshje të mbetur. Jemi në finale të kupës dhe na takon të vijojmë me këtë ritëm edhe këto 3 ndeshje. Duhet të përqendrohemi vetëm te vetja dhe te objektivat e klubit, jo te gjendja e skuadrave kundërshtare. Jam i mendimit që më mirë të ndeshesh me një ekip me objektiva se një ekip pa objektiv dhe që luan futboll të qetë. Më vjen mirë, që Tirana ka objektiva dhe do të jetë një ndeshje e bukur dhe shumë e luftuar.

– Por Tiranë duket në momentin më të keq…

– Do të gabonim, nëse do të mendonim si 3 pikë i kemi “të sigurta”, ngaqë Tirana është keq. Duhet të mobilizohemi 100% për të marrë maksimumin. Do të bëja apel për kujdes, pasi nuk i besoja aspak krizës bardheblu.

– Ka lajme në rrjetet sociale, që flasim për një tjetër dënim të Skënderbeut. Ju çfarë do të thoshit?

– Këto gjëra nuk i bëjnë gjë tjetër futbollit, veçse e dëmtojnë atë. Në Shqipëri po bëhet pak si modë, çdo gjë paragjykohet dhe flitet jashtë fushave. I bëjnë dëm të madh futbollit këto zëra. Duhet të heqim nga mendja atë shprehjen “fol, fol se diçka do të mbetet”. T’i japim një shtysë futbollit, që brezat e rinj të mos edukohen me frymën “e lanë ndeshjen”.

– Kur ishit 3 pikë larg kreut asgjë nuk ishte në dorën tuaj. Po tani që jeni 1 pikë pas Kukësit?

– Sigurisht, kur ishim prapa, përveç fitores sonë, shpresonim që rivalët të ndaleshin. Ndodhi ai barazim i Partizanit me Kukësin dhe tani varet çdo gjë nga ne. Nuk shpresojmë më të ndalen rivalët, por duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet tona. E thënë troç, e kemi vetë në dorë titullin.

– Pas barazimit të Partizanit me Laçin a i shihni më si rivalë të kuqtë?

– Përderisa matematika i lejon, mendoj se janë ende më garë për titullin kampion.

– Pra, nuk është Kukësi-Skënderbeu takimi kyç i titullit?

– Nuk dua të ndalem te takimi i ardhshëm, por vetëm te ky ndaj Tiranës, që është shumë i rëndësishëm për ne. Të kalojmë këtë takim me sukses, më pas flasim.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here