Apeli i Alveshit: Tani vjen më e vështira për Flamurtarin

0

Zëvendëskapiteni i skuadrës vlonjate ndjen keqardhje për faktin që ndeshja e radhës do të luhet pa tifozë, por është më optimist se kurrë për të ardhmen  

Elton Nika

“Flamurtari u rikthye i madh. Forca Flamurtari! Tri pikët në Lushnjë janë shumë të rëndësishme, të vijojmë e këto ritme”. Danilo Alvesh nuk e fsheh aspak entuziazmin për gjendjen edhe pozicionin e Flamurtarit pas 11 javëve të para të kampionatit.  Ai vlerëson tri pikët e fituara në Lushnjë, që i kanë dhënë skuadrës së tij vendin e dytë. Por, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës dhe e klubit vlonjat, edhe braziliani kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë, duke evituar euforinë, që mund ta dëmtojë Flamurtarin në këtë moment mjaft të rëndësishëm.

VENDI I DYTË – “Falë Zotit, sot kemi tri pikë më shumë në renditje, – shprehet sulmuesi. Mbajmë vendin e dytë në renditje dhe dua të them se fitorja në Lushnjë ishte me shumë vlera për skuadrën tonë. Një fitore, që na jep besim të vijojmë në këtë rrugë dhe të shohim me entuziazëm përpara. Në atë transfertë nuk ishte aspak e lehtë, pasi pak ditë më partë kishim harxhuar shumë energji ndaj Skënderbeut. Na duhej të jepnim maksimumin në fushën e Lushnjës, ku lodhja u ndje, pasi ndeshjet ishin shumë afër me njëra-tjetrën. Megjithatë, tani duhet t’i gëzohemi faktit që kemi marrë 3 pikët. Duhet pranuar se Lushnja, pavarësisht pozicionit në renditje, është një skuadër e fortë dhe vetëm në shtesë patëm fatin të shënonim. Falë atij goli të mrekullueshëm të Liçajt, një gol vërtet i rrallë, jemi në vend të dytë. Por duhet të vijojmë përpara, të shohim ndeshjen e radhës me Teutën në shtëpi, ku duhet të marrim rezultat pozitiv. Fatkeqësisht, nuk luajmë me tifozë, kur dihet që futbolli luhet pikërisht për ta. E dimë se mbështetjen e sportdashësve tanë do ta kemi gjatë gjithë ndeshjes, ashtu si ndodhi përballë Kukësit. Nuk më takon të flas për dënimet, por ato janë bërë shumë dhe jemi i vetmi ekip që kemi ndeshjen e dytë pa tifozë. Kjo gjë ndikon dhe ne duhej të kishim më shumë pikë në renditje. Megjithatë, vazhdojmë punën tonë” – shprehet Alvesh.

TEUTA – “Përpara kemi ndeshjen me një skuadër, që vjen pas dy fitoreve radhazi dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Fazën e parë fituam me Teutën në fushën e saj, por kjo është një ndeshje tjetër e vështirë dhe ka shumë pak lidhje me të parën”, – thotë më tej braziliani”.

GOLI – “Rëndësi ka skuadra, fitoret dhe pikët, golat do të vijnë. Rrëndësi ka të ecim në këtë rrugë dhe të jemi një skuadër ashtu si kemi bërë deri tani. Kampionati është ende shumë i gjatë, ka shumë ndeshje përpara. E di që është më e vështirë ta ruajmë këtë pozicion dhe të jemi në vendet e kreut të renditjes. Edhe me Teutën objektivi mbetet fitorja, pasi luajmë në shtëpi, por duhet të tregojmë kujdes maksimal”, – përfundon sulmuesi i skuadrës vlonjate, Danilo Alvesh.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image