Antidoping: Hysen Pulaku rezulton pozitiv dhe në testin B

0

Peshëngritja shqiptare e ka nisur edhe vitin 2015 ashtu siç e mbylli 2014-tën, domethënë me lajme aspak të mira. Kështu, ndërkohë që në ditët e fundit të dhjetorit edhe testi B kishte konfirmuar dopingun e Romela Begajt, kështu ka ndodhur edhe dje me Hysen Pulakun. Edhe testi B i analizës së antidopingut të peshëngritësit elbasanas ka rezultuar pozitiv për përdorimin e substancës së ndaluar “stanozolol”. Një gjë e tillë është konfirmuar për AlbanianSport.net si nga zyrtarë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ashtu edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Më 11 dhjetor u mësua se, si kampioni i botës, Daniel Godelli, dhe kampioni i Evropës për nën-23-vjeçarët, Hysen Pulaku, kishin rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara. Pas përgjigjes për Pulakun, brenda këtyre ditëve pritet edhe përgjigja e testit B edhe për Godellin, për të mësuar më pas edhe masën e dënimit që do të merret nga Federata Botërore e Peshëngritjes për dy sportistët në fjalë dhe për Romela Begajn. Ndërkohë, me 4 sportistë që rezultojnë pozitivë për përdorimin e substancave të ndaluara brenda një viti Shqipëria si vend rrezikon automatikisht pezullimin pa afat nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare. Edhe i riu Arbër Çerçizi pati rezultuar pozitiv më herët gjatë vitit 2014. Të dy këta sportistë, Godelli dhe Pulakum kanë rezultuar pozitivë në analizat e kryera gjatë Botërorit të Të Rriturve, që mbajt muajin nëntor në Almati të Kazakistanit. Me këta dy sportistë, shkon në 5 numri i peshëngritësve shqiptarë që kanë marrë medalje në arenën ndërkombëtare dhe më pas kanë rezultuar pozitiv për përdorimin e substancave të ndaluara. Këta sportistë janë Fetije Kasaj, Erkand Qerimaj, Romela Begaj, Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli. Përsa i përket Pulakut, ky është një rast i përsëritur për të, pasi rezultoi pozitiv edhe në prag të Olimpiadës “Londër 2012”, por ajo që e ndihmon është se para 3 vjetësh, ai rezultoi pozitiv jashtë gare. Sidoqoftë, në rastin më të mirë, ai rrezikon nga 2 deri në 4 vjet pezullim, ndërsa në rastin më të keq, pezullim të përjetshëm.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here