Ankth te Liria, lojtarët nuk paguhen prej muajsh

Situatë absurde ajo te Liria e Prizrenit, skuadër që këtë sezon ka shkëlqyer në Kosovë, duke qenë e treat në renditje dhe duke shkuar në një moment shumë pranë kreut, aq san ë qytet nisën të ëndërronin për gjëra më të mëdha.

Megjithatë, kaq lart Liria nuk ka qenë ndonjëherë dhe duket e pabesueshme të dëgjosh që lojtarët nuk paguhen prej dy muajsh dhe ndërkohë ka nisur maji, muaji i fundit i sezonit.

Duket një sëmundje ngjitëse, sepse këtë praktikë e ndjekin zakonisht klubet e Superiores shqiptare, që i lënë futbollistët pa paguar në pranverë dhe nisin nga gjobat kur nuk arrihen synimet madhore.

Megjithatë, është anormale që kjo gjë të ndodhë edhe në klube që dukeshin shumë serioze, si Liria.

Deri në fund të vitit të shkuar gjithçka ishte perfekte, trajneri Bledi Shkëmbi dhe lojtarët e shumtë transferuar në verë ishin shumë të kënaqur, por gjithçka ndryshoi në fillim të vitit të ri. Presidenca e klubit u ndërrua dhe aty nisën problemet, aq sa trajneri Shkëmbi shpërtheu disa javë më parë, duke kërcënuar me largim dhe duke zbuluar problemet e mëdha në klub, me përçarje dhe trajtim jo të ndershëm të një pjese të lojtarëve.

Me pas pati premtime se gjithçka do të vazhdonte normalisht dhe situata u duk e qet, por tashmë mësohet se skuadra nuk paguhet prej dy muajsh. Duhet kujtuar që shumë lojtarë janë jabanxhinj dhe natyrisht problemet financiare i ndjejnë shumë.

Edvan Bakaj, Basriu, Kaja, Vrapi, Kote, Sefa,Magani, Tungara, Osmani, Kocev e Osmani janë lojtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe sakrifikojnë jo pak duke pritur të paguhen, aq më shumë që Liria e ka arritur objektivin e vet, është kthyer në një skuadër elitare, duke luftuar për vendet e para në renditje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *