Anglia dhe Spanja destinacionet, Bajerni përgatit dy goditje “big”

0

Bajerni i Mynihut e ka nisur më herët se çdo ekip tjetër merkaton për sezonin e ri, pasi prej kohësh ka siguruar shërbimet e dy kampionëve të botës, Benzhamin Pavard dhe Lukas Hernandez.

Gati 115 milionë euro të shpenzuara në total për dyshen franceze, me bavarezët që e kanë blinduar prapavijën. Gjithsesi, gjermanët nuk mjaftohen me kaq, teksa sytë tashmë janë nga mesfusha dhe ofensiva.


Sipas raportimeve të fundit nga “Kicker”, objektivat kryesorë janë përcaktuar. Në mesfushë bëhet fjalë për Rodrin, talenti spanjoll i Atletikos, i cili kërkohet edhe nga Mançester Siti. Klauzola e tij është 70 milionë euro, por “Citizens” aktualisht janë më të avantazhuar.

Sidoqoftë, gjithmonë sipas “Kicker”, drejtues të Bajernit do të udhëtojnë drejt Madridit posaçërisht për Rodrin. Emri i dytë është Leroi Sane. Gjermani është kërkuar edhe në kohën që luante te Shalke, por Guardiola e bindi të shkonte drejt Anglisë.

Tashmë gjërat kanë ndryshuar, me 23-vjeçarin që nuk ka qenë aspak i kënaqur me minutat që Guardiola e ka aktivizuar këtë sezon. Kontaktet e para kanë nisur dhe Bajerni po punon ta mbyllë sa më shpejt operacionin e transferimit.

Ndërkohë, një tjetër emër që ka qenë raportuar ishte dhe Ante Rebiç. Megjithatë, “Kicker” ka siguruar se bavarezët nuk janë të interesuar për kroatin.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.