“Anglezët” kuqezinj: Rrugëtimi dhe idhujt, njihuni me talentet Broja e Bani

Nevil Dede, trajneri i Shqipërisë U19, i ka hedhur sytë edhe nga Anglia për të gjetur elementë cilësorë për të rinjtë kuqezi. Në një grumbullim të bërë së fundmi në vendin tonë, ishin të pranishëm edhe Armando Broja dhe Alkeo Bani. I pari është pjesë e Çelsit, kurse tjetri aktivizohet me Uotfordin.

Broja, në një prononcim për “FSHF TV”, tregon pse ka zgjedhur të përfaqësojë ngjyrat kuqezi: “Jam shumë i kënaqur që jam këtu, kam shumë dëshirë të luaj për Shqipërinë. Më pëlqen shumë dhe ekipi  ka lojtarë shumë të mirë. Familja ime është e kënaqur që unë jam këtu”

Më tej 17-vjecari tregon rrugëtimin në futboll dhe zbulon lojtarët e preferuar: “E kam filluar futbollin në moshën 5-vjeçare, duke luajtur në park dhe me shokë. Kanë ardhur të më shikojnë nga Totenhemi, më kanë pëlqyer dhe për vite kam luajtur aty. Në moshën 10-vjeçare më ka blerë Çelsi dhe prej 7 vitesh luaj me skuadrën angleze. Idhulli? Ronaldo, më pëlqen shumë. Nga Shqipëria pëlqej Armando Sadikun, lojtar i mirë dhe për më tepër ka edhe emrin tim”.

Alkeo Bani, qendërmbrojtësi i Uotford, ndjen që i është plotësuar një ëndërr. “Unë luaj për Uotford, me ekipin U-18, në pozicionin e mbrojtësit të qendrës. Ndihem shumë mirë këtu, e kam pasur gjithmonë ëndërr për të luajtur me Shqipërinë. Kur më mbërriti ftesa jam ndjerë shumë i lumtur. Nuk kam shumë emocione, por dua që të luaj gjithmonë. E kam pasur ëndërr dhe tani që jam këtu nuk kam shumë emocione, dua vetëm të luajë në fushë dhe të tregoj cilësitë e mia”.

I riu, gjithashtu ka treguar hapat e tij dhe lojtarët e preferuar: “Futbollin e kam filluar i vogël, në moshën 7-vjeçare dhe kam qenë në League 1 në Fletud Toun. Tani ndodhem ke Uotford deri në fund të sezonit dhe shpresoj të marr një kontratë më të mirë. Idhulli im ka qenë Lorik Cana, por momentalisht pëlqej Gjimshitin. Është mbrojtës shumë i mirë, të cilin që e pëlqej dhe e ndjek në ndeshjet tek Atalanta”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *