André Silva mish i huaj, tani nuk feston as fitoren

Milani fitoi të shtunën ndaj Krotones, me një gol të Bonuçit, i cili më në fund ka një motiv për të buzëqeshur, në një sezon të zi deri tani.

Nuk ka asnjë arsye për të buzëqeshur, me sa duket, sulmuesi André Silva. Vetëm 22 vjeç, i blerë për thuajse 40 milionë euro, Silva u prit si një tjetër Andre i paharrueshëm, një Shevçenko që kujtohet me nostalgji nga gjithë tifozët kuqezinj.

Andreja tjetër, portugezi, me sa duket nuk është i të njëjtit brumë. Nëntë herë është ulur në stol në kampionat, pa e prekur fare fushën, 536 minuta ka qenë në fushë nga 1800 të tilla deri tani, pa shënuar asnjë gol.

Një video e postuar në rrjetet sociale nuk ka nevojë për koment: Gatuzo shkoi t’i jepte dorën, më pas të gjithë në mesfushë për të festuar pas ndeshjes kundër Krotones, ndërsa André Silva ecën kokulur, pa ua varur fare shokëve që festonin. Të gjithë bashkë, por jo portugezi, i cili iku qetësisht drejt dhomave të zhveshjes, sepse te Milani nuk po i japin besim, ndryshe nga Porto vjet dhe kombëtarja portugeze që pas Europianit. Gatuzo kërkon falje dhe premton se André Silva do të jetë në qendër të vëmendjes në të ardhmen, por Milani është në siklet: nëse e sheh, André Silva zor se kushton sërish thuajse 40 milionë euro, ndërkohë që mediatikisht do të konsiderohej një dështim kolosal i klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *