Andre Silva gola e rekorde, më mirë se Ronaldo!

Në pak ditë Barcelona dhe Reali i Madridit kanë marrë disa goditje dhe tashmë Atletiko e Madridit është afruar ndjeshëm me kreun në La Liga. Vetëm Atletiko? Ah, po, edhe Sevilja! Tre fitore rresht në kampionat, 4 me gjithë një ndeshje në Europa League, gola pa fund të shënuar dhe një lojë e ngjashme me atë të Seviljes më të mirë të pak viteve më parë, kur fitonte Europa League.

Fillimi i keq i kampionatit është harruar dhe tashmë skuadra e drejtuar nga Maçin po fluturon, edhe falë golave të portugezit André Silva. Shtatë gola në 7 ndeshje kampionati për ish-sulmuesin e Milanit, i cili është kthyer në idhullin e tifozerisë dhe është shënuesi më i mirë në Spanjë.

Askush si ai, as Kristiano Ronaldo, sepse CR7 në vitin e parë në Spanjë kishte shënuar “vetëm” 5 gola në 7 ndeshjet e para në kampionat. Pesë ka shënuar edhe Mesi këtë sezon, duke qenë dy gola pas Andre Silvës, i cili ka shënuar që tani po aq gola sa shënoi sulmuesi brazilian Muriel gjithë sezonin e shkuar për Seviljen. Muriel kushtoi 21 milionë euro, Andre Silva është në huazim dhe mund të blihet për rreth 35 milionë.

Milani e sheh me dëshpërim, në Itali Andre Silva nuk shpërtheu dot, por ndoshta thjesht Seria A nuk është për të, pasi ndryshon shumë nga kampionati spanjoll, ku luhet në sulm dhe ka hapësira pa fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *