Andre Silva flet si kuqezi: Milani, një ëndërr

Është Andre Silva sulmuesi i së ardhmes së Milanit, një investim prej 38 milionë eurosh, shifër e madhe për një 21-vjeçar që sapo ka zbuluar futbollin e madh, por që po shënon me një rregullsi të habitshme, me Porton dhe kombëtaren portugeze.

Sot Andre Silva ka kryer kontrollet mjekësore në Milano dhe ka lëshuar deklaratat e para si kuqezi: “Ndjenjë e papërshkrueshme, Milani është një ëndërr dhe gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ronaldo më ka lavdëruar? Nuk kam folur ende, por ai është idhulli im dhe shpresoj të bëhem si ai. Tani dua të rritem dhe të bëhem i rëndësishëm për Milanin, për ta kthyer aty ku i takon”.

Blerja e Andre Silvës mbyll përfundimisht rrugët për Moratan, Obamejangun e Belotin, të gjithë superlojtarë, por me kosto të frikshme.

Tashmë synimi madhor i Milanit është të shesë Karlos Bakën, por nëse ikin edhe Deulofeu e Lapadula, detyrimisht do të afrohet një sulmues tjetër dhe nuk ka marrë fund tratativa për suedezin e Lajpcigut Forsberg, futbollist shumë interesant, pasi luan në krah dhe në sezonin e fundit në Bundesligë jo vetëm që ka shënuar 8 gola, por ka dhënë edhe 22 asiste, duke barazuar rekordin e Kevin De Brujnes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *