Andorra, një “shuplakë” fodullëkut shqiptar!

0

Pas fitores së kombëtares A në Andorrë, me dy gola në fundin e një takimi që nuk ishte edhe aq i dominuar nga ne, plasi festa në dhomat e zhveshjes, u fshi si me magji epoka Panucci dhe lojtarët krenoheshin, sepse treguan se vlejnë më shumë nga sa mendonte italiani.

Eufori e tepruar, e kemi zakon, por nga ana tjetër jo pak gazetarë e tifozë, apo edhe analistë, kaluan në krahun e kundërt, duke e ofenduar Andorrën deri në atë pikë sa dukej se nuk duhej të shkonim fare në Andorrë, mjaftonte të dërgonim nja 3-4 çuna nga Kategoria e Dytë, si dhe ndonjë magazinier, për të fituar thellë.

Duke harruar nga vijmë, duke harruar që para pak dekadash ishim ne gazi i botës dhe nuk kishim “as brekë në b*** “, tashmë mendojmë se jemi Brazili apo Spanja dhe se mjafton që iku Panucci, tani do fitojmë Euro 2020. E vërteta është krejt ndryshe: jemi modestë, profesionistë të një niveli jo fort të lartë dhe amatorë perfektë në mentalitet.

Ajo që ndodhi sot në Andorrë është e ngarkuar me simbolikë: Andorra amatore, me 3 djem që ishin edhe në ekipin A dje, na turpëroi, edhe pse në fushë kishim yjet e së ardhmes, ata që nga dikush thuhet se janë gati të luajnë në ekipin A. Lojtarë nga gjithë Europa, shumica me goxha eksperiencë, por ja që na ndal Andorra.

Ndodh, futboll është dhe u ka bërë vaki edhe ekipeve më të mëdha, fundja Anglia U21, Italia U21 e ndonjë ekip tjetër kanë fituar vetëm 1-0 këto vitet e fundit në Andorrë, por shuplaka që na dha Andorra duhet të na shërbejë si leksion, sepse superioriteti dhe profesionalizmi nuk tregohen me deklarata, zemra me gishta e zemra në Facebook apo Instagram.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.