Andi Lila u “zbërthen” Tramexanin qipriotëve

Paolo Tramexani mori një ofertë nga Qipro dhe nuk e ka refuzuar. Ish-krahu i djathtë i Xhani De Biazit tanimë është trajner i APOEL, ndërkohë që për ta njohur më shumë teknikun italian është menduar intervistomi i Andi Lilës. Lojtari polivalent i Pas Janinës ka folur për “Kerkida.net” dhe elozhet janë të shumta.

MENDIMI PËR TRAMEXANIN – “Kemi punuar së bashku për shumë vite. Bëhet fjalë për një person shumë të mirë dhe një njeri me karakter të jashtëzakonshëm. Një nga trajnerët më të mirë me të cilët kam punuar. Ishte shumë i rëndësishëm në atë që kombëtarja jonë bëri. Mendimi im është shumë pozitiv. Ai është një trajner që punon 24 orë në fushë dhe është i përkushtuar në atë që bën. Mendoj se Tramexani në 5-6 vjet do të jetë një nga trajnerët më të mirët në Europë”.

RAPORTI ME FUTBOLLISTËT – “Arrin të marrë 100% të lojtarëve. Sjella e tij ishte e pashoqe për mua dhe shokët e skuadrës. Kjo është më e rëndësishmja për mua në futboll.  Kur trajneri ka mënyrën për të kontrolluar dhomat e zhveshjes dhe për t’u imponuar respekt lojtarëve, mund të arrijë shumë”.

FILOZOFIA E TIJ – “E thashë, ai mund t’u nxjerrë lojtarëve më të mirën. Gjithashtu është i shkëlqyer në anën taktike dhe në leximin e lojës. Për këtë ra në pah te kombëtarja jonë. Sepse, kur je pas De Biazit, mund të shohësh më qartë. Kishte përgjegjësi të mëdha nga trajneri ynë dhe bëri punë të mirë. A është agresiv? Varet nga grupi i lojtarëve që ka. Por, po, mendoj se ka një strategji agresive”.

PËRBALLIMI I PRESIONIT – “E njoh APOEL-in shumë mirë dhe e di çfarë do të thotë të drejtosh një ekip si ai. Ai do të bëjë një punë të madhe. Mendoj se APOEL-i dhe Tramexani mund ta marrin titullin. Mendoj se do të ketë sukses në APOEL”.

MESAZHI – “Jam një tifoz i tij dhe do ta ndjek atë. Dua që t’u shkojë mirë dhe uroj më të mirat për të. Jam i sigurt që do ia dalë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *