Ançeloti nis punë: Ronaldo, një stimul më shumë për Napolin

Napoli tashmë ka nisur punë me trajnerin Karlo Ançeloti në drejtim dhe entuziazmi është rikthyer në ambient, pas dëshpërimit për titullin e humbur për pak pikë në fund të sezonit të shkuar, me ndeshjen në Firence që nuk shlyhet lehtë nga kujtesa.

Sot Ançeloti ka folur në konferencën e tij të parë për shtyp që kur ka marrë Napolin, duke u kthyer në Itali pas disa vitesh mes Spanjës, Anglisë, Francës e Gjermanisë.

“Shumë arsye më çuan te zgjedhja e Napolit, kisha dëshirë të kthehesha në Itali dhe klubi besoi tek aftësitë e mia. Kam gjetur një projekt interesant, një klub që ka dëshirë të rritet. Edhe skuadra më pëlqen shumë, është shumë pranë ideve të mia të lojës dhe kjo më bindi të firmos”, ka deklaruar fillimisht Ançeloti, i cili është ndalur në shumë tema.

OBJEKTIVI – “Dua ta bëj skuadrën kompetitive, të shkojmë sa më larg në çdo kompeticion. Dua të bëj të lumtur njerëzit në Napoli, ky është objektivi, ndaj natyrisht do të luftojmë për titull”.

RONALDO TE JUVE – “Është më i miri në botë, e njoh profesionalizmin dhe forcën e tij. Përfiton i gjithë futbolli italian, edhe pse natyrisht është avantazh i madh për Juven. Për ne do të jetë një motivimim shtesë për të dalë para Juventusit në fund”.

STILI I NAPOLIT – “Më ka bindur shpirti i kësaj skuadre, nuk jam këtu prë të fshirë atë që ka ndodhur. Do të sjell idetë e mira, por stili mbetet i njëjti. Do të kemi një zotërim topi efikas, me shpirt ofensiv. Do të mundohemi ta mbajmë skuadrën ashtu si është, lojtarët e mëdhenj janë të tillë vetëm kur janë funksionalë”.

HAMSHIK – “Jam i bindur që mund të mbulojë rolin që ishte i Zhorzhinjos, por kemi edhe shumë të rinj që mund të na vlejnë. Për sa i përket Mertensit, nuk besoj se e bën dot sulmuesin anësor”.

JUVENTUSI – “Është një skuadër e fortë, që ka fituar në vitet e fundit, por nuk është rivali ynë i vetëm, ka disa ekipe të forta”.

PASUESIT E REINAS NË PORTË – “Meret mendojmë se është një talent mjaft premtues, Karnezis ka eksperiencë dhe do ta ndihmojë të rritet”.

FABIAN RUIZ – “Mesfushor i kompletuar, por që nuk i ka karakteristikat për të luajtur para mbrojtjes”.

SYNIMET NË CHAMPIONS – “Jemi në fashën e dytë, ndaj objektivi i parë është të kalojmë fazën e grupeve”.

RONALDO DHE BISEDA E PËRFOLUR – “Jo, nuk kam folur sa me të dhe as me Benzemanë. Nuk kam këshilluar askënd, çdo klub ka objektivat dhe mundësitë e veta”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *