Ançeloti: Milanit i duhet kohë. Seria A, duhet ulur numri i skuadrave

Trajneri i njohur ka folur në Radio Anch’io, duke komentuar largimin nga Bajerni, ndërsa ka folur edhe për të ardhmen e vet

Një muaj pas largimit nga Bajerni i Mynihut, Karlo Ançeloti ka folur në mikrofonët e Radio Anch’io: “Bajerni nuk kishte më besim te puna që bëja. Për mua tani është e drejtë të shoh përpara dhe të qëndron pak pushim, për të ndjekur futbollin si spektator i interesuar. Do të kërkoj një mundësi tjetër në të ardhmen, por jo tani. MLS-ja amerikane? Një gjë është Kombëtarja, që luan ndeshje kompetitive, dhe tjetër është kampionati amerikan, që nuk parashikon zbritje nga kategoria dhe ku ka pak motivim e interes”.

“Seria A duhet rikthyer me 18 skuadra”

Ançeloti e ndjek me vëmendje Serinë A, edhe pse ka vite larg Italisë: “Juventusi? Nuk ka mbetur asnjëherë pas, është aty, gati të marrë kreun. Napoli ka gjetur vazhdimësi dhe Sarri është shumë i zoti. Klubi i De Laurentis ka një strukturë që i ka lejuar të ndërtojë në 2-3 vite një skuadër niveli. Binomi trajner-klub po jep rezultate”. Për Ançelotin kampionati italian nuk është ndryshe nga të tjerët: “Edhe në vende të tjera nuk ka shumë garë e kompetitivitet, por surpriza ka gjithnjë, shihni Zhirona-Real Madrid”. Zgjidhja për Karlon është kthimi i Serisë A me 18 skuadra: “Është rruga që duhet ndjekur. Në këtë moment futbolli po kërkon të ketë më shumë të ardhura, por kjo kufizon cilësinë e lojës. Nëse bie cilësia, bie interesi. Politika e futbollit duhet të shkojë drejt luajtjes së më pak ndeshjeve, por që të jenë më cilësore. Duhet kthyer te 18, ose edhe 16 skuadrat. Në Gjermani ka 18 skuadra dhe kjo krijon avantazhe, pa diskutim”.

“Milanit i duhet kohë, askush nuk e ka shkopin magjik”

Ançeloti po shihet prej javësh si pasuesi i Montelës te Milani në krizë, por Ançeloti vetë është i bindur se Montela do t’ia dalë mbanë për të nxjerrë situatën nga vështirësitë: “Në futboll askush nuk e ka shkopin magjik, duhet durim për të gjetur lojtarët e duhur për projektin. Klubi ka kryer blerje që u konsideruan të jashtëzakonshme në verë: investuan shumë, por nuk mjaftojnë 6 muaj për të bërë një skuadër. Duhet kohë dhe durim, në investime dhe në punë. Vendi i katërt është shumë i rëndësishme, sepse shkon në Champions, por nuk duhet humbur optimizmi kur gjërat shkojnë keq. Besoj se klubi e ka parashikuar edhe mundësinë që gjërat të mos shkonin mbarë, nuk mund të shkojë gjithçka mirë kur ndryshon 11 lojtarë. Është e vështirë të gjesh lojtarë niveli dhe Milani ka marrë disa lojtarë të mirë, të cilët mund të rriten, duke u shtuar lojtarë të rëndësishëm”.

“VAR zgjidh problemet, duhej futur më herët”

Seria A këtë sezon, ashtu si Bundesliga, ka futur teknologjinë VAR në përdorim: “Mendoj se ka ardhur me shumë vonesë, duhej përdorur më herët dhe vetëm një i çmendur mendon që nuk vlen. Zgjidh shumë probleme, nuk ka polemika dhe arbitrat janë më të qetë. Do të jetë edhe në Kupën e Botës në Rusi dhe është fat i madh, sepse do të evitohen shumë probleme”.

“E ardhmja, pres me qetësi”

Në fund, Ançeloti flet edhe për të ardhmen e vet: “Do të doja të kisha një mundësi për të krijuar një projekt dhe të punoja qetësisht, edhe pse zanati ynë nuk të jep qetësi, gjë që është normale, mjafton një rezultat i gabuar që presioni të shtohet. Gjithsesi, nuk e kam me nxitim, pres qetësisht”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *