Ançeloti i qartë: Kush nuk ka guxim, të qëndrojë në shtëpi!

Mbrëmjen e nesërme Napoli i Ancelotit sfidon Parisin në “Parc des Princes”, në një sfidë që shihet mjaft e rëndësishme për ecurinë e të dyja ekipeve në kompeticionin më prestigjioz për klube. Përpara sfidës Karlo Anceloti ka folur përpara mediave, teksa shihet i qetë në rikthimin e tij në Paris, teksa vitin e shkuar mori një humbje të thellë 3-0, në kohën kur drejtonte Bajernin.

RIKTHIMI NE PARIS – “Që nga ardhja ime e fundit me Bajernin, ku dhe e humbëm ndeshjen, kanë ndryshuar shumë gjëra, PSG ka ndryshuar, trajneri i tyre gjithashtu. Vitin e shkuar kishte shumë probleme, humori im ka ndryshuar shumë, vitin e kaluar kam ardhur këtu dhe ndjeva besim vetëm nga 4-5 lojtarë. Tani ndjej besimin e lojtarëve dhe të gjithë mjedisit dhe humori normalisht që ndryshon krejtësisht”.

NDESHJA – “Ekipet e pathyshme nuk ekzistojnë, është e vërtetë se ata kanë potencial të pabesueshëm përpara, por ndeshja me Liverpulin na dha shumë vetëbesim. Ne duhet të tregojmë sa të aftë jemi dhe të shpalosim të gjitha cilësitë kundër një ekipi të vështirë dhe kundër një pretendenti për të fituar Championsin. Duhet të përqendrohemi në lojën tonë, strategjinë tonë, kështu dhe lojtarët do të ndihen më të rehatshëm”.

GJENDJA E EKIPIT – “Gjëja pozitive është përqendrimi, përtej strategjisë, sepse pa përqendrim asgjë nuk funksionon. Cdo gjë është në duart e lojtarëve dhe ka të bëjë po ashtu me kurajon që ata marrin. Nëse nuk janë të guximshëm atëherë mund të qëndrojnë në shtëpi, ne jemi këtu për të luajtur” .

VENDIMI PËR TU BËRË TRAJNER I NAPOLIT – “Mos lexoni gazeta italiane, kam thënë shumë herë më parë, vendosa të zgjedh Napolin për tre gjëra: projekti i klubit, cilësia e lojtarëve dhe bukuria e Napolit”.

Mendoni se Napoli është favorit?

“Ne nuk na intereson, nuk do të thotë asgjë të jesh apo jo favorit, edhe pse kur grupet dolën, Napoli ishte skuadra e tretë në grup. Të vish këtu dhe të dëgjosh që Napoli është i frikshëm është dicka që na bën të lumtur normal, por thjesht kaq”.

VERRATI – “Ai është një lojtar i rëndësishëm, një nga mesfushorët më të mirë që kam pasur”.

PSG – “Unë kam kujtime të mira nga koha që kam kaluar këtu, përmirësova akoma më shumë aftësitë e mia. Tuhel e takova në Gjermani në Dortmund, jemi miq, biseduam në Gjenevë gjithashtu dhe shpresoj se është mirë për të që është te PSG, pasi do të rritet akoma më shumë”, përfundoi tekniku i të kaltërve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *