Ançeloti i habitur: Më çuditi përcaktimi i arbitrit kryesor

Mbrëmjen e nesërme, “UEFA Champions League”, do të na dhurojë duelin midis Napolit dhe Liverpul. Supersfida e grupit C do të zhvillohet në “San Paolo” në orën 21:00. Një duel mjaft delikat për skuadrën e Ançelotit, të cilët barazuan 0-0 në Serbi ndaj Cervenës, që shihet si rivali më i lehtë i grupit.

Në prag të ndeshjes trajneri italian ka folur përpara mediave në konferencën e zakonshme. Ançeloti është shfaqur dhe disi nervoz, për faktin se arbitër e sfidës do të jetë Viktor Kasai. Hungarezi kujtojmë ka qenë arbitër dhe në kohën kur Ançeloti drejtonte Bajernin, në çerekfinalen e shumë përfolur ndaj Realit të Madridit.

EKIPI – “Humbjen ndaj Juves duhet ta lëmë pas, është një ndeshje që ka përfunduar dhe duhet të mendojmë për Championsit tani. Kemi shumë besim për neser dhe e dimë shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë. Aspekti që ne kemi nevojë të përmirësojmë është menaxhimi i momenteve të vështira, pasi duhet të tregojmë ekuilibër. Duhet të sulmojmë shumë për të fituar, por duhet të kemi kujdes dhe në prapavijë. Liverpul është një ekip që luan shumë shpejt dhe mund të na kapë në befasi. Na duhet të krijojmë intensitet të madh.

KLOP – “Klop është një mik i mirë, një trajner i cili i jep një identitet të qartë ekipit të tij. Ndeshja është shumë e rëndësishme dhe e vështirë, por jo kritike. Gjithsesi kemi nevojë për 3 pikë, pasi kemi humbur dy pikë javën e parë ndaj Cervenës. Duhet të luajmë në mënyrën si u paraqitëm minutat e para në Torino, pastaj do të kemi dhe publikun me vete që janë gjithmonë të mrekullueshëm”.

INSINJE – “Lorenco është një lojtar fantastik, madje në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve pesë vjet më parë, e ka befasuar Dortmundin e Klop me një goditje të lirë. Unë shpresoj ta përsërisë nesër, por dhe lojtarët e tjerë do të përpiqen të bëjnë gjithçka me çdo kusht. Jemi në një grup të vështire dhe na duhet përqendrim.

LOJTARI QË I FRIKËSOHET – “Lojtari i tyre vendimtar është Firmino. Është një lojtar i cili punon shumë. Shpesh tërhiqet dhe gjithashtu asiston shumë shokët për t’i dërguar tek goli”.

ARBITRI – “Më kujton një precedent shkatërrues për ish-ekipin tim. Jam i habitur nga përcaktimi i këtij arbitri, pasi nuk ka kaluar dhe shumë kohë. Gjithsesi nuk dua të përqendrohem tek arbitrat, pasi nuk është në natyrën time”, ka përfunduar tekniku italian i të kaltërve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *