Ançeloti: Champions, nuk shoh asnjë favorit

0

Karlo Ançeloti është i pari në Bundesligë, por kjo nuk është arritje. Për t’u konsideruar i suksesshëm, në Bavari presin Ligën e Kampioneve, trofeun që trajneri italian e ka fituar 3 herë. Në një intervistë të gjatë për “Corriere dello Sport”, Ançeloti prek tema të ndryshme, duke nisur pikërisht nga Liga e Kampioneve: “Për mua është edhe Juventusi mes favoritëve. Megjithatë, është një garë e hapur: Real Madridi, Bajerni, Barcelona, por edhe Atletiko Madridi, PSG e Mançester Siti, janë të aftë të triumfojnë. Këtë sezon është shtuar ndjeshëm ekuilibri mes skuadrave të mëdha, nuk ka më një skuadër superfavorite. Është rritur Juventusi, nuk ka zbritur PSG, është edhe Siti me një trajner që e njeh mirë këtë Kupë. Në fazën e grupeve nuk shkëlqeu asnjëra nga skuadrat e mëdha, por tani të gjithë do ta përmirësojnë ritmin. Ne të Bajernit tani jemi mirë, edhe pse nuk kemi luajtur shumë mirë në ndeshjet e fundit, por kemi karikuar pak bateritë për fundin e sezonit. Rezultatet tani janë të shkëlqyera, cilësia e lojës jo dhe aq, por do të përmirësohemi. Në shkurt na kthehet edhe Boateng, një lojtar thelbësor për mbrojtjen, ndërsa të gjithë janë mirë, vetëm Riberi ka një problem të vogël”.

Ndërkaq, kapiteni Filip Lam ka lajmëruar se do të tërhiqet nga futbolli këtë verë: “Më vjen shumë keq, por është një zgjedhje personale. Kam biseduar gjatë me të, i thashë që me cilësinë dhe gjendjen fizike që ka, mund të vazhdojë pa problem edhe disa vite, por ai më tha se nuk ndihet më në 100% të formës. I kujtova Totin e Maldinin, i thashë edhe që unë e lashë futbollin kur isha 33 vjeç, por ngjaja si 43, ndërsa Lam ngjan shumë i ri, por nuk e binda dot”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here