Analizat e fansave, ja kë duan në merkato

0

Në gazetën “Sport Ekspres”, sot fillojmë rubrikën e opinioneve nga lexuesit dhe fansat tanë. Në faqen tonë zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ne presim me mesazhe çdo javë analiza, komente dhe opinione nga çdo tifoz për klubin e zemrës. Këtë radhë kemi kërkuar analiza për merkatot e klubeve evropiane. Në ditët e fundit kryesisht kanë reaguar tifozët e Serisë A dhe ata të Bajernit. Tifozët e Interit duken të kënaqur me blerjet e deritanishme, kurse ata të Milanit duan më shumë. Ndërkohë, tifozët bavarezë mendojnë se skuadra ka lojtarë “të plakur”.

Lexoni shkrimet e fansave tanë virtualë!

 

“Lihshtajner nuk kroson, shiteni!”

Haziz Gjokola

 

Duke nisur nga porta, edhe vitin tjetër e kemi të blinduar me Bufonin. Dyshja e mbrojtjes nuk duhet ndryshuar (Kielini – Bonuçi), por duhet një qendërmbrojtës për zëvendësim. Deri tani është përmendur emri i Ruganit, por nuk ka përvojë. Duhet një si Benatia i Bajernit. Në krahun e majtë të mbrojtjes, pres konkurrencë ndërmjet Azamoas dhe Evrasë (i pari ka shpejtësinë, i dyti ka përvojën). Në të djathtë mendoj se Lihshtajnerit i kanë shteruar energjitë. Duhet një lojtar që di të kromojë, jo vetëm që ecën pa e ditur se ku po shkon. Duhet një si Azpilikueta. Mesfushën nuk do e ndryshoja, por duhet një fantazist pas largimit të Pirlos. Shpresoj për Iskon. Në sulm, mendoj se Morata duhet të jetë i padiskutueshëm dhe mendoj se do krijojë partneritet me Dibalanë dhe Manxukiçin. Kroati nuk më ka pëlqyer kurrë, por shpresoj të performojë mirë. Po vjen dhe Zaza dhe do rritet konkurrenca. Pozicionet ku duhet të ketë ndërhyrje në merkato, pra, duhet të jenë krahu i djathtë i mbrojtjes, roli i fantazistit dhe një sulmues.

 

“Mesfushën nuk do e ndryshoja, por duhet një fantazist pas largimit të Pirlos. Shpresoj për Iskon. Në sulm, mendoj se Morata duhet të jetë i padiskutueshëm dhe mendoj se do krijojë partneritet me Dibalanë dhe Manxukiçin. Kroati nuk më ka pëlqyer kurrë, por shpresoj të performojë mirë”

 

“Bertolaçi, i shtrenjtë për Milanin”

Andi Seferi

 

Lojtari me të cilët ka nënshkruar klubi im është Bertolaçi. Ai është blerë për 20 mln euro, një shifër shumë e lartë. Edhe pse lojtari sivjet pati një vit të suksesshëm te Xhenoa dhe fitoi një vend në ekipin kombëtar, prapë kjo shifër mbetet e lartë. Emra të tjerë që përfliten janë Bazeli i Atalantës (një lojtar me të ardhme) dhe Mauri i Parmës (i cili krahasohet me një nga mesfushorët më të mirë të momentit, Verrati). Milani është pranë nënshkrimit të “Peshkatarit” të Seviljës, Baka. Lojtari dhe agjenti i tij e kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjes, por ne tifozët e Milanit duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, duke marrë parasysh se ç’ndodhi me Kondogbian dhe Martinezin.

Çfarë i duhet Milanit – Unë mendoj se aktualisht Milani ka nevojë për disa elemente, por aspekti ekonomik mbetet një problem, edhe pse Galiani thuhet se ka një buxhet të mjaftueshëm. Blerjet duhen nisur nga mbrojtja. Lojtarët si Abate, Zakardo, Bonera dhe De Siljo nuk premtojnë, ashtu si Muntari dhe Noçerino në mesfushë apo si Matri dhe Pacini në sulm. Për t’u rikthyer si më parë, Milani duhet të transferojë lojtarë si Darmian, Humels, Felipe Luiz dhe të rikthejë Ibrahimoviçin.

 

“Merkatoja e Interit më duket super!”

Gabriel Terezi

 

Skuadra ime e zemrës është Interi. Deri tani klubi ka blerë tre lojtarë cilësorë, si Kondogbia, Murijo dhe Miranda. Deri tani merkatoja më ka pëlqyer. Unë mendoj se duhen forcuar krahët e mbrojtjes dhe mesfushës. Lojtarët që duhen për të plotësuar këto boshllëqe janë Darmian, Felipe Luiz, Kuadrado dhe Konoplianka. Përsa i përket bilancit që duhet ruajtur në nivelet e duhura, mendoj se duhen shitur edhe disa lojtarë, që buxheti i klubit të jetë konstant. Shpresoj shumë që Interi të fitojë kampionatin ose të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

 

“Te Bajerni unë do hiqja Guardiolën”

Alberto Baviera

 

Deri tani, në skuadrën time të zemrës, Bajerni, nuk është transferuar asnjë lojtar që më bind. Mbrojtja mendoj se është në gjendje kritike, por edhe repartet e tjera duan rifreskim. Unë do të doja një lojtar si Filip Lahm (por ku ta gjesh?). Gjithashtu, Grizman apo Hazard do të ishin super! Unë do shtoja se një problem i Bajernit është trajneri, i cili nuk bën për Bajernin. Gjithsesi, për llogarinë e shit-blerjeve nuk kam pse shkruaj shumë. Kush mund t’i bëjë llogaritë më mirë se gjermanët? Por, e theksoj se nuk jam i kënaqur me blerjet e Ulraishit dhe Kostës. Arritje do të quaja një rikthim në fron të Evropës, pasi Bajerni kampionatin dhe Kupën i fiton kur të dojë.

 

“Grizman apo Hazard do të ishin super! Unë do shtoja se një problem i Bajernit është trajneri, i cili nuk bën për Bajernin. Gjithsesi, për llogarinë e shit-blerjeve nuk kam pse shkruaj shumë. Kush mund t’i bëjë llogaritë më mirë se gjermanët?”

 

“Pres 3 largime ‘big’ tek Interi”

Denis Filopati

 

Evropa e ka mbyllur siparin e futbollit në fushat e blerta e që nga dita e sotme stafeta i takon “futbollit” në tavolinat e menaxherëve. Zëra, lajme dhe zyrtarizime të shumta kanë ndodhur në këto ditë të parahapjes së merkatos, ku në sy bie ekipi i madh italian, “milanistët zikaltër”, ai i Interit. Zyrtarizime të rëndësishme në dukje kanë ndodhur (Murijo, Miranda, Kondogbia), pa lënë pa përmendur edhe pjesëtarin e Barcelonës, Martin Montoja. Pavarësisht prurjeve të shumta, mister Mançini kërkon prurje të reja, ku egjiptiani Salah dhe Kuadrado janë në listën e gjatë të dëshirave. Jo vetëm afrime. Tek Interi mendohet dhe për merkaton në dalje. Kuzmanoviç tashmë i dha fund eksperiencës zikaltër (shkoi te Bazeli) por edhe një nga Guarin, Hernanes apo dhe benjamini i skuadrës, Kovaçiç, priten të mbushin arkat e Tohirit. Sido që të shkojë, kjo merkato garanton “ditë të bardha” për klubin dhe tifozët e Interit.

Si e dua formacionin – Do preferoja një rreshtim 4-2-3-1, me këta lojtarë: Handanoviç në portë, Montoja, Murijo, Miranda dhe Santon në mbrojtje, Kondogbia dhe Guarin në mesfushën defensive, Shaqiri, Kovaçiç dhe Salah në mesfushën ofensive, të cilët mbështesin Ikardin në sulm.

 

“Në Milano dua dyshen Baka–Ibra”

Romualdo Gjoka

 

Duke parë që dy vitet e fundit Milani ishte jashtë gare për titullin kampion dhe nuk luajti në Ligën e Kampionëve, padyshim që kjo merkato vere duhet të konceptohet për të bërë një ekip të denjë, aq sa për të zënë një vend në Ligën e Kampionëve. Duke u nisur nga trajneri, pavarësisht se serb (ne shqiptarët nuk e pëlqejmë), mendoj se ishte vendimi i duhur sjellja e tij në Milano.
Si e pres merkaton – Duke u bazuar te formacioni, në portë Diego Lopez konfirmohet, pasi ka treguar se është i zoti. Në qendër të mbrojtjes priten blerje si Humels dhe Glik. Në krah të djathtë qëndroj me Abaten ose De Siljon, kurse në të majtin do preferoja Antonelin. Para mbrojtjes dua të luajë “pit bulli” De Jong, në të djathtë Bertolaçi, në të majtë Vitsel. Shoh El Sharauin si trekuartist, kurse në sulm pres dyshen Baka – Ibrahimoviç. Kjo do të ishte merkatoja më e mirë e Milanit.

 

“Te Milani, kjo merkato vere duhet të konceptohet për të bërë një ekip të denjë, aq sa për të zënë një vend në Ligën e Kampionëve. Duke u nisur nga trajneri, pavarësisht se serb (ne shqiptarët nuk e pëlqejmë), mendoj se ishte vendimi i duhur sjellja e tij në Milano”

 

“Bajernit i duhen ende shumë blerje”

Silvio Kumi

 

Bajerni duhet të ndryshojë strategji në merkato, pasi nuk ka siguri në mbrojtje dhe as në repartet e tjera, siç kishte në vitin 2013. Me ardhjet e Ulraishit dhe D. Kostës, reparti ku duhet të vihet dorë është mbrojtja, pasi me lojtarë si Boateng, Dante, Rafinja ose Lahm nuk kemi siguri. Duhen 2-3 mbrojtës të mirëfilltë qendre dhe një mbrojtës krahu. Në mesfushë Alonso dhe Shvajni nuk japin garanci dhe duhen larguar Rode me Vajzerin. Riberi dhe Roben janë të vjetër, por edhe mund të japin. Gjithsesi, duhet të kenë zëvendësues të denjë. Bajernit në sulm i duhen edhe dy sulmues përveç Levandovskit.

 

“Tevez dhe Pirlo na djegin shumë”

Vathi Sina 

 

Juvja, me petkun e nënkampiones së Evropës kërkon të bëjë merkato cilësore. Por, para se të blejë, duhet të “spastrojë” ekipin. Duhen larguar: Ogbona, Pepe, Romulo, Storari, Padoin, Matri dhe De Selje. Largimet e Tevezit dhe Pirlos dhembin shumë, por me Manxukiçin, Zazën, Moratën, Lorenten dhe Dibalanë, sulmi është në rregull. Kedira më duket blerje e goditur. Zëvendësuesi ideal i Pirlos mendoj se është Isko (ose Oskar). Mbrojtja është “OK” me ardhjen e Ruganit.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here