Analiza/ Turqia e pëson vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do e provojë me Dërmaku-Gjausla

Shqipëria duhet të dalë me tre pikë nga transferta e sotme ndaj Turqisë. E vetmja mënyrë për të mbajtur ende të ndezura shpresat e kualifikimit. Madje më e mira do të ishte sikur kjo fitore të vinte edhe me një golavarazh të mirë, përtej shifrave minimale.

Kjo pasi nëse të dyja Kombëtaret do të gjenden në renditje me të njëjtën sasi të pikëve të grumbulluara, diferenca do të bëhet nga ndeshjet direkte. Të mundur në Shkodër me rezultatin 0-2, nuk favorizohemi aspak.

Por ndaj Turqisë do të jetë vërtet shumë e vështirë. Ajo që nuk duhet harruar, është se në të gjitha këto takime të zhvilluara, lojtarët e Gunesh kanë pësuar vetëm dy gola. Madje edhe ato, në një ndeshje të vetme, kur humbën ndaj Islandës 2-1 në transfertë.

Mënyra? Nuk do shumë për t’u menduar. Nëpërmjet goditjeve standarte, ku Islanda shfrytëzoi më së miri të vetmen karakteristikë të fortë të saj, fizikun. Në të gjitha takimet e tjera, dyshja e qendrës Demiral-Ayhan është e pathyeshme. Pavarësisht se Demiral po qendron në stolin e Juventus, të kesh në stërvitje përballë sulmues të atij kalibri, është një e dhënë e mjaftueshme për të kuptuar se çfarë do të na presë sonte në mbrëmje.

Gjithsesi, kundërsulmet dhe goditjet standarte do të jenë ato që Reja do të provojë për të dalë te goli, pasi kemi edhe vlera të shtuara për lojën në ajër si Dërmaku dhe Gjasula./Sport Ekspres/