Analiza taktike/ Pasime të shkurtra dhe “vrasje” që në fillim, si Reja na e ktheu në stërvitje

“Kujdes me Moldavinë. Këto ndeshje nuk dimë t’i fitojmë lehtë, madje vuajmë”, ky ishte ambienti para ndeshjes së djeshme të Shqipërisë. Por pasi arrijmë të fitojmë lehtësisht dhe me gola nga katër lojtarë të ndryshëm, erdhi edhe reagimi i analistëve: “Në rregull, me Moldavinë po luanim”.

Me të njëjtin kundërshtar në fakt që vuajtëm në shtëpi në shifrat 2-0 dhe ku Reja nuk e njihte mirë grupin e skuadrës. Asgjë nuk është aq e lehtë sa edhe duket në pamje të parë. Trajneri ka rikuperuar lojtarët mbi të gjitha në psikologji, më tepër sesa në gjendjen fizike, që pati edhe ajo ndikimin e saj pas atyre energjive që u shpenzuan të gjitha ndaj Turqisë.

Të humbisje në atë mënyrë të padrejtë dhe mbi të gjitha të merrje goditjen e fundit për të dalë nga Europiani, do të ishte e vështirë për çdo skuadër që të ngrinte kokën. Por si arriti Reja që të fitonte 0-4 ndaj Moldavisë?

E gjitha filozofia e lojës fituese këtë herë ishte te pasimet e shkurtra. Lojtarët gjithmonë pasonin pranë njëri-tjetrit dhe nuk provonin topat e gjata dhe pa adresë. Shumë të rralla ishin rastet e praktikimit të kësaj loje, vetëm kur lojtarët tanë dilnin nga pas shpinës së kundërshtarëve.

PIkërisht si në rastin e golit të Bares dhe pasimit që erdhi nga Gjasula. Kjo e shpjegon edhe statistikën në fundin e ndeshjes. 621 pasime ishin bërë nga lojtarët e Shqipërisë, nga të cilat ishin 538 të sakta.

Si asnjëherë më parë te kuqezinjtë. Por edhe mbajtja e topit ishte shumë tregues për mënyrën e zhvillimit të lojës ndaj Moldavisë. Keidi Bare, ndryshe nga ndeshja me Francës ku ishte i fokusuar dhe me vëmendje të madhe për thyerjen e aksioneve, këtë herë kaloi si organizator.

Madje duke e bërë punën në perfeksion, pasi pasimet e tij të zgjuara ishin të një kalibri tjetër. Ndërsa Gjasula përveç detyrës më të tërhequr që kishte në mesfushë, duhej të shpërndante topin ndonjëherë edhe në krahë, me hapjet e gjata dhe të sakta.

Presioni i mbrojtsave tanë niste që në mesfushë kur Shqipëria ndodhej në fazën ofensive, për të mos i lënë sulmuesve kundërshtarë asnjë hapësirë dhe në asnjë minutë kontaktin me topin. Objektivi i Rejës ishte që të mos përsëritej ai takim në ndeshjen e parë, ku pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0. Gjithçka duhej të përfundonte që në pjesën e parë, për të kaluar më pas te administrimi i qetë ashtu si edhe ndodhi. Moldavinë na ktheu në stërvitje… /Sport Ekspres/