Analiza e Serie A| Juventus një “përbindësh”, buzëqeshin ekipet e Milanos

0

Thuajse është mbyllur java e shtatë në Serinë A, teksa mbetet për t’u luajtur dhe sfida e mbrëmjes e sotme, Sampdoria-Spal. Milan dhe Xhenoa mbeten me një ndeshje më pak, pasi ndeshja e programuar për tu luajtur në “San Siro”, do të rikuperohet në fund të muajit tetor.

Java e shtatë ishte mjaft e rëndësishme sepse dhe viheshin përballë dy pretendentët kryesorë për titull, Juventus dhe Napoli. Në Torino bardhezinjtë duket se treguan forcën e tyre dhe gjithashtu Napoli shfaqi limitet e tij si ekip. Fitore e pastër e të besuarve të Alegrit me shifrat 3-1 dhe një kampionat që duket se po merr drejtim, që pa përfunduar çereku i ndeshjeve të luajtura. 21 pikë të plota për Juven, që në Itali duket një makineri perfekte, gati-gati e pagabueshme. Diferenca prej gjashtë pikësh me Napolin, dominimi i sfidës në fundjavë, si dhe forma që po tregon “zonja e vjetër”, edhe pse është herët të flasësh duket se Juventus nuk ka rivalë përsëri në Serinë A.

Inter vijon momentin e mirë. E treta fitore në radhë për të besuarit e Spaletit, i cili duket se ka gjetur recetën e duhur për ekipin e tij. Lojë e qartë, e mirë dhe më e rëndësishmja vazhdimësia që zikaltrit po tregojnë jep sinjale të mira për të ardhmen. Fitore e pastër këtë fundjavë kundër Kaljarit me shfirat 2-0. Katapultim në vendin e katërt për Inter, që merr dhe lajmin e mirë të golit të parë të Lautaro Martinez me fanellën e tyre. Spaleti dhe Interi i tij duket se po bëhën më të qartë nga java në javë, dhe sfida e fundjavës së ardhshme në fushën e Spal do të jetë një provë force tjetër për ta.

Ndërkohë, Gatuzo rikthehet të buzëqeshë më në fund. Fitore 1-4 në fushën e Sasuolos dhe një triumf që vjen pas tre barazimeve radhazi. Përveç fitores tekniku italian duhet të jetë i lumtur dhe për zhbllokimin e dyshes Suso-Kastijeho. Ky i fundit shënoi golin e parë më fanellën kuqezi ndërsa Suso gjeti golin më në fund pas plot 1728 minutave shterpësi. E vetmja gjë shqetësuese nga sfida e mbrëmshme për Gatuzon është që Milani është i vetmi ekip këtë sezon, që është ndëshkuar të paktën një herë në çdo ndeshje të luajtur. Fitorja ndaj Sasuolos, duket se ka ardhur pikërisht në momentin e duhur te kuqezinjtë, të cilët pasi presin Kievon këtë fundjavë, duhet të përgatiten për derbin ndaj Interit në javën e nëntë.

Napoli i Hysajt duket se në sfidën ndaj Juventus shfaqi dhe limitet e saj. Një Napoli jo i qartë dhe jo ai ekip që jemi mësuar të shikojmë. Vijojnë të mbeten pretendentët kryesorë për të rrëzuar nga froni bardhezinjtë, por sfida e së shtunës nxori në pah shumë mangësi. Edhe pse Karlo Ançeloti ka sjellë një frymë të re në grup, mbase mund të duhet ende kohë deri sa klubi i De Laurentis të shndërrohet në një makineri fituese.

Lacio dhe Strakosha patën një fundjavë të vështirë, si pasojë edhe e humbjes në derbi ndaj Romës. Të besuarit e Inzagit në fundjavë kanë përsëri një sfidë delikate dhe direkte, ndaj Fiorentinës, që këtë sezon duket e rilindur nga Stefano Pioli. Bardhekaltërit për momentin ndodhen në vendin e gjashtë, por vetëm një pikë e ndan nga vendi i tretë, që mbahet pikërisht nga Fiorentina.

Roma më në fund duket e rikthyer dhe e dalë nga kriza e javëve të para. Dy fitore radhazi, një në mesjave ndaj Frozinones dhe padyshim triumfi në derbi çojnë kryeqytetasit në kuotën e 11 pikëve dhe bëjnë Di Françeskon gjithashtu të marrë frymë lirisht.

ZONA E FTOHTË – Kievo dhe Frozinonë mbajnë përkatësisht dy vendet e fundit. Jo vetëm pikët që kanë grumbulluar, por dhe loja e treguar e dy ekipeve duket se nuk është në nivelin e Serisë A. Një Frozinonë që në shtatë javë ka shënuar vetëm një gol, dhe ka vetëm një pikë. Ndërkohë Kievo fajëson dhe ndëshkimin me -3 pikë nga federata italiane dhe për momentin mbyll renditjen me -1 pikë.

Seria A / Java e shtatë

Roma 3-1 Lacio

Juventus 3-1 Napoli

Inter 2-0 Kaljari

Bolonja 2-1 Udineze

Fiorentina 2-0 Atalanta

Frozinone 1-2 Xhenoa

Kievo 0-1 Torino

Parma 1-0 Empoli

Sasuolo 1-4 Milan

Sot
Sampdoria – Spal 20:30

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.