Analiza e Gjokës për Kamzën: Mangësitë në 18 javë, tifozët dhe ana psikologjike

Ernest Gjoka u ul në stolin e Kamzës në javën e 14-të dhe në 5 ndeshje ai ka arritur 2 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, rezultate këto që kjo skuadër i kishte arritur në 13 javët e mëparshme. Për këtë situatë, trajneri Gjoka deklaroi për SportEkspres.com se në këto pesë javë është bërë gjysma e punës, ndërkohë që për dy fazat e tjera kërkon nga skuadra përmirësimin e anës psikologjike, njëherësh edhe mbështetjen e tifozerisë në stadium.

Karrierën e trajnerit, Ernest Gjoka e ka nisur në vitin 2009 me Apoloninë në Kategorinë Superiore dhe gjatë kësaj periudhe ka trajnuar edhe skuadra të tjera në këtë kategori, si Tomorin, Flamurtarin, Kukësin, Vllazninë dhe Kamzën. Me 1 Titull Kampion të fituar, 1 Kupë dhe 1 Superkupë, Gjoka morri drejtimin e Kamzës për një sfidë të re, dhe në këtë deklarim ai shprehet me besim se objektivi për mbijetesë në Superiore do të arrihet.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Keni pesë ndeshje në stolin e Kamzës, i keni arritur pritshmëritë për këtë hapësirë në Superiore?
-Pritshmëritë gjithmonë janë për më lart, por në këto pesë javë mendoj se kemi bërë gjysmën e punës. Kemi patur vështirësi në plotësimin e skuadrës me lojtarët më në formë, sepse unë e gjeta jashtë formës së duhur ekipin, e trashëguar kjo nga javët e kaluara.

Në këndvështrimin tuaj teknik, në cilën nga dy fazat e para ka qenë Kamza më e mirë?
-Duke qenë se unë jam ulur në stolin e Kamzës në javën e 14-të, ndoshta nuk mund ta bëj me saktësi dallimin mes dy fazave. Por Kamza ka lojtarë cilësorë që unë i konsideroj si “lokomotiva” që do ta çojnë skuadrën drejt suksesit në këtë sezon.

Po mangësitë që ju keni konstatuar në këto pesë javë, cilat veçoni?
-Në këndvështrimin tim, te Kamza ka patur një mangësi e cila ka qenë ana psikologjike e skuadrës. Këtu u mbështetëm kryesisht në këto pesë javë që unë e drejtoj këtë skuadër, dhe këtu do të përqendrohet lufta jonë për arritjen e synimeve, ku primare është mbijetesa në Superiore.

Sa ndikim ka patur tifozeria në mbështetjen e skuadrës së Kamzës?
-Tifozeria e Kamzës është shumë e ndjeshme, por gjendja jo e mirë në renditje e ka larguar nga stadiumi. Ata janë ndihmë e madhe dhe kanë qenë faktor gjithmonë, dhe nëse këta do të vijnë në stadium si në ndeshjen e fundit me Skënderbeun, skuadra do ketë më shumë përmirësim.

Në këto katër javë ndërprerje të kampionatit, veç anës stërvitore, keni menduar edhe merkato?
-Është një periudhë e shkurtër dhe shumë e limituar për të bërë përgatitje më komplekse me skuadrën. Gjithsesi, përgatitjet do të vazhdojnë paralelisht me merkaton, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që në periudhën e dimrit është shumë e vështirë për lojtarë që bëjnë diferencën.

Jeni optimist se Kamza do të mbijetojë në Kategorinë Superiore me punën që do të bëni në vazhdimësi?
-Natyrisht që për këtë objektiv do të punojmë fort në dy fazat e tjera të këtij kampionati. Bashkia dhe Presidenti i Kamzës kanë dhënë mbështetjen maksimale që ky synim të realizohet, ndërsa unë kam besim se edhe skuadra do të reagojë në më të mirën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *