Amir Rrahmani, talenti i sezonit

0

Shoqata “Sporti na Bashkon” për të shtatin vit radhazi përcakton çmimet e fundsezonit. Uzuni, Fili, Shehi, Josa, Latifi, Bregu dhe Internacionali janë të kurorëzuarit e tjerë të këtij edicioni

 

Gjergj Vyshka

 

Amir Rrahmani, mbrojtësi i Partizanit dhe kombëtares U-21 të Shqipërisë, është talenti i sezonit për 2014-2015. Ky ka qenë verdikti i votimeve nga trajnerë dhe nga gazetarë sportiv, të cilët kanë bërë të mundur që shoqata “Sporti na Bashkon” për të shtatin vit radhazi të përcaktojë më të mirët e sezonit 2014-2015. Ndonëse përgjatë vitit kishte shpallur 8 futbollistët më të mirë të muajit, kurorëzimi i gjithçkaje ishte ceremonia e djeshme, e cila është zhvilluar në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Janë dy çmime të treta, dy çmime të dyta, një çmim i parë, dy çmime merite dhe një “Fair-Play”. Ky event ka pasur sponsorizimin e shumë firmave. Fjala e parë i ka takuar presidentit të shoqatës “Sporti na Bashkon”, Leka Kosta,  i cili ka përshëndetur të gjithë të pranishmit e më pas ka bërë një përmbledhje të aktivitetit. Por premtimi i tij është shtrirja e këtij aktiviteti në promovimin dhe përkujtimin e figurave të mëdha sportive, apo dhe shtrirje në sportet e tjera. E në fund ka mbyllur gjithçka sekretari i shoqatës Gëzim Nushi, që ka ftuar të gjithë të pranishmit që të bëjnë një foto të përbashkët. Amir Rrahmani ka qenë “mbreti” i aktivitetit e pas tij janë nderuar Liridon Latifi, Devis Bregu, Myrto Uzuni, Realdo Fili, Orges Shehi, Mirel Josa, klubi Internacional. Por ata që erdhën për të dhënë çmimin ishin figura të nderuar të sportit shqiptar. Që nga Mikel Janku tek Fatmir Mëneri, e më pas Ahmet Shqarri, Sulejman Demollari, Roberto Nava, Hito Hitaj e në fund Miço Papadhopulli. Një event i tillë duket se ka shuar sado pak jehonën e politikës që ka pushtuar vendin, apo dhe të krimit që ndodhi në Tiranë, ndërsa për një çast të gjithë u përqendruan tek sporti. Nëse në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ata që kanë munguar kanë përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, apo dhe të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. E megjithatë shoqata “Sporti na Bashkon” e shpalli talentin e sezonit, ndërsa ai i ka takuar Amir Rrahmanit.

 

 

Rrahmani: Ky çmim do më motivojë më shumë

I lumtur për vlerësimin që i është bërë, mbrojtësi i të kuqve shpreson që edhe në të ardhmen të vazhdojë të luajë në nivel të lartë. Në prononcimin e tij 21-vjeçari deklaroi: “E rëndësishme është që duke qenë pjesë e Partizanit arrita të marr edhe këtë çmim, që për mua do të thotë gjithçka. Shpresoj që të vazhdoj kështu në të ardhmen, duke kontribuar jo vetëm për skuadrën ku jam, por dhe për përfaqësuesen U-21”.

E ardhmja – Pas dy sezoneve te Partizani, ku është konfirmuar si një nga mbrojtësit më të mirë të Kategorisë Superiore, për Amir Rrahmanin kanë filluar të bien kambanat e klubeve të huaja, që kanë shfaqur interes të madh për kapitenin e Shpresave. 21-vjeçari i lindur në Prishtinë e pranon se ky ndoshta ishte sezoni i fundit me fanellën e kuqe, duke theksuar se gjatë ditëve të ardhshme do të bëjë të ditur destinacionin e tij të ardhshëm: “Oferta nga RNK Split ka ardhur që në muajin janar, por një vendim do ta marr gjatë ditëve në vazhdim dhe do ta bëj publik. Unë jam një lojtar i lirë në këto momente, por me presidentin Demi do të diskutoj për të ardhmen dhe do të marrim një vendim bashkë”.

 

 

 

Shehi: Çdo çmim vlen, nuk bëj dallim

Portieri i Skënderbeut, i cili edhe këtë sezon arriti të fitojë titullin kampion, u nderua me çmimin “Fair Play”. Ky ishte një tjetër vlerësim për “gardianin” durrsak, i cili me thjeshtësinë e tij tha: “Nuk bëj dallim për trofetë që marr, të gjithë janë sinjifikativ dhe kanë rëndësinë e vet. I tillë është dhe ky, ndërsa puna e përbashkët e skuadrës na ka bërë që të jemi kampion për të pestën herë radhazi, si dhe unë të jem këtu si portieri më i mirë. Besoj që kemi mundësi për të shpalosur aftësitë tona dhe në Ligën e Kampioneve”.

 

 

Josa: Kulmi i sezonit, fitorja me Partizanin

I dhuroi Skënderbeut dhe një tjetër titull kampion, i pesti radhazi dhe i gjashti në historinë e klubit, ndaj nuk mund të mos vlerësohet si trajneri më i mirë i edicionit që sapo përfundoi. Mirel Josa ia dedikon grupit suksesit të arritur, teksa quan si më të bukurën fitoren me Partizanin. “Gjithmonë kampionatet e fituara janë të bukura. Nëse kemi fituar, çelësi i suksesi është grupi i lojtarëve. Kulmi i këtij titulli ka qenë fitorja me Partizanin, e cila na hapi rrugën për të shkuar te trofeu i shumë pritur. Mendoj se ka mundësi dhe për më tej e do të shohim se çfarë mund të bëjmë”, tha tekniku i kampionëve, Mirel Josa.

 

 

 

Flasin sportistët që morën çmimin

 

Liridon Latifi (Skënderbeu) – “Mendoj se kam kryer punën e duhur me Skënderbeun dhe kam bërë atë që më ka kërkuar trajneri. Jam i kënaqur dhe me titullin kampion, që për mua ishte i pari në Shqipëri. Shpresoj që të vazhdoj dhe me trofe të tjerë, duke synuar që të kontribuoj për skuadrën dhe në Ligën e Kampioneve”.

 

Dejvi Bregu (Flamurtari) – “Ky çmim është shpërblim i besimit që më dha trajneri, të cilit besoj se ia kam shpërblyer në fushën e lojës. Më ka ndihmuar shumë ky aktivizim me Flamurtarin dhe mendoj e shpresoj që edhe në të ardhmen të jem po në këtë formë që kam paraqitur në këtë sezon duke shpresuar që të vazhdojë dhe me trofe të tjerë”.

 

Myrto Uzuni (Apolonia) – “Këtë çmim, që për mua është i pari në karrierën time, ia dedikoj Apolonisë, e cila më dha mundësinë që të shpalos mundësitë e mia në Kategorinë Superiore. Bëmë gjithçka që Apolonia të qëndrojë në Kategorinë Superiore, por s’ishte e thënë. Megjithatë jam i kënaqur me këtë trofe dhe shpresoj të kem edhe të tjerë në vazhdim”.

 

Realdo Fili (Apolonia) – “Nëse jam këtu do të thotë që kam bërë gjithçka mirë me skuadrën, ndonëse në pjesën e parë të sezonit nuk kam pasur aktivizime të shumta. Ka qenë mundësia që më dha trajneri Mërgjyshi dhe që shpalosa aftësitë e mia për të ndihmuar skuadrën që të eci përpara. Edhe në vazhdim do të jem i tillë”.

 

Kreshnik Agolli (Internacional) – “Së pari më duhet t’ju them që për arsye pune presidenti Canollari nuk mund të ishte në këtë ceremoni, teksa është në Pula e Istria të Kroacisë në një turne me skuadrën U-15, e cila doli fituese. Mendoj që është bërë goxha investim, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet ta shohë si një shembull investimi për futbollin shqiptar dhe për mënyrën se si bëhet”.

 

 

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.