Alvesh karikon Flamurtarin: E kalojmë Partizanin!

Braziliani i skuadrës vlonjate: Nuk ka rëndësi kush shënon, rëndësi ka rezultati. Jemi një skuadër për një qëllim të përbashkët

Elton Nika

Për mënyrën si u pësua, humbja në Korçë i ka dëshpëruar jo pak futbollistët e Flamurtarit, por duhet theksuar se entuziazmi për një sezon të suksesshëm mbetet në po ato kuota. Në favor të vlonjatëve ishte fakti që në javën e 19-të humbi edhe Kukësi rival, kështu që ata kanë mbetur të vetëm në vend të dytë. Në Vlorë janë të sigurt për një vend në Kupat e Europës në fund të këtij sezoni, si nga kampionati, ashtu edhe nga kupa. Por më e mira do të ishte me një trofe të fituar, kështu që kuqezinjtë e trajnerit Duro do të japin gjithçka për ta fituar Kupën e Shqipërisë.

ALVESH Sulmuesi brazilian, Danilo Alvesh, goli i të cilit në ndeshjen e parë i ka hapur rrugën kualifikimit të Flamurtarit, thekson se skuadra është mjaft e karikuar për ta kaluar me rezultat pozitiv edhe ndeshjen e nesërme: Të gjithë gati për një takim shumë të rëndësishëm. Forca Flamurtari”, – shkruan braziliani në faqen e tij zyrtare, duke dashur ti japë kurajë skuadrës së tij për një reagim të shpejtë pas humbjes me Skënderbeun. Sulmuesi ka qenë protagonist me kuqezinjtë në ndeshjet e fundit dhe shpreson të lërë shenjë edhe të mërkurën në stadiumin Selman Stërmasi. Dëshira e madhe është që të vijojmë në këtë rrugë. Të shohim ndeshjen e radhës. Para kemi një përballje shumë interesante dhe të vështirë, por asgjë nuk është e pamundur. Kemi fituar ndeshjen e parë dhe jemi të bindur se na pret një përballje edhe më e vështirë me Partizanin. E gjithë vëmendja është te ndeshja e ditës së mërkurë. Para Flamurtari! Nuk ka rëndësi kush shënon, rëndësi ka vetëm fakti që skuadra të arrijë objektivin për këtë ndeshje. Ne jemi bashkë një skuadër, për të vetmin qëllim, arritjen e rezultateve pozitive. Deri tani kemi ecur mirë, por duam të shkojmë përpara. Tani mendojmë vetëm për Partizanin dhe për tu kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, shkruan më tej braziliani i Flamurtarit, që duket se tashmë ka rigjetur formën e tij më të mirë dhe është i rëndësishëm për skuadrën jo vetëm për lojën, por edhe me golat që po shënon.

SKUADRA – Flamurtari ka rinisur dje përgatitjet për takimin e së mërkurës ndaj Partizanit në transfertë, ku synohet kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Një seancë stërvitore e plotë është zhvilluar dje nga vlonjatët dhe trajneri Duro nuk ka pasur të gatshëm vetëm brazilianin Zhufo, i cili vuan një dëmtim të pësuar para ndeshjes me Skënderbeun. Pjesa tjetër e grupit është e gjitha e plotë. Skuadra ka punuar në fushën sportive të Pyllit të Sodës dhe sot stafi teknik do të mbyllë përgatitjet me një seancë taktike, ku do të jepen orientimet e fundit për ndeshjen me Partizanin. Vlonjatët i kualifikon edhe barazimi apo një humbje minimale me gol të shënuar në fushën kundërshtare, kështu që qëllimi është shënimi i të paktën një goli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *