Altin Lala 5 vite pas lamtumirës, mes biznesit dhe talenteve

0

Blerim Jahaj

Nëse ka një ish-futbollist që duhet marrë si model për brezat e rinj, një rast për t’u studiuar, ai është Altin Lala. Tashmë 41 vjeç, ish-mesfushori i hekurt ka bërë rrugë, shumë rrugë. Gjithçka e nisur nga zero, si një fëmijë i arratisur nga kaosi dhe mjerimi shqiptar në fillim të viteve ’90, epokë e errët, që shkatërroi gjithçka në Shqipëri dhe natyrisht rrënoi edhe futbollin. Edhe pse ende 15-vjeçar, Lala e kishte të qartë të ardhmen e vet dhe një udhëtim në Gjermani me Shqipërinë U-16 i dha shansin të niste një jetë të re, si azilkërkues. Refugjat në Fulda, më pas futboll në Fulda me grupmoshat dhe brenda pak kohësh të gjithë e kuptuan se shqiptari dinte të luante futboll dhe dinte mirë, edhe pse nuk ta mbushte syrin, me shtatlartësinë e tij. Më 1998 erdhi kalimi i madh tek Hanovëri: nuk e mendonte askush, as vetë Lala, se do të qëndronte aty për 14 vjet: 296 ndeshje, ngjitje në Bundesligë, vite të tëra si lider dhe si kapiten, mbyllje karriere duke e çuar Hanovërin në kupat e Europës. Lamtumira ishte rrëqethëse: një parullë “Danke Altin” që mbulonte gjysmën e stadiumit, thuajse 50.000 mijë vetë që brohorisnin emrin e tij dhe duartrokisnin, ç’mund të kërkojë më shumë një futbollist kur e mbyll me futbollin e luajtur? E megjithatë, Lala nuk pranoi të vazhdonte karrierën si trajner. “Nuk është për mua, dua të jem i lirë, të punoj, të lëviz, të udhëtoj, të kem kohën time”, thotë Lala, i cili në një intervistë për “Sport Ekspres” flet për gjithçka, nga Hanovëri, te jeta e tij larg futbollit të luajtur, te menaxhimi i futbollistëve dhe kombëtarja shqiptare…

Përshëndetje Altin, shpresojmë të mos ju kemi shqetësuar.

Jo, aspak. Përkundrazi, tani që nuk luaj më futboll, kam më shumë kohë të lirë. Kur isha futbollist, mund të bënim sikur ishim të zënë gjithë ditën, stërvitje, ndeshje, regjim, gjumë… Tani jam më i qetë, kam kohë të mjaftueshme, edhe pse nuk jam asnjëherë pa punë.

Aktualisht ndodheni në Hanovër?

Po, jam në Hanovër. Si zakonisht, duke u marrë me biznesin tim, që është një pjesë e rëndësishme e jetës sime, por kam edhe impenjime të tjera.

Sot (dje, 5 maj), u mbushën 5 vjet nga ndarja juaj nga Hanovëri. Si ndihesh kur e sheh atë ceremoni madhështore të lamtumirës?

Në fakt, ju ma kujtuat datën, sepse realisht nuk e kisha ndërmend që u mbushën 5 vjet nga tërheqja nga futbolli. Nuk është se shoh video të miat, apo kam ruajtur ndeshje të miat, për t’i parë. Ka vite që nuk shoh asnjë video nga koha kur isha futbollist. Ceremonia e lamtumirës, në fakt, ishte menduar ndryshe nga klubi, me një ndeshje speciale enkas për atë rast, por duke parë sa bukur doli ndeshja e fundit e imja në Hanovër, vendosa që të mos bëhej një ndeshje lamtumire, pasi nuk kishte më vlerë, gjithçka kishte dalë perfekte me atë koreografi dhe nderim që më bëri stadiumi.

Ke qëndruar për 14 vjet te klubi i Hanovërit, një rekord për një futbollist shqiptar jashtë Shqipërie, si ka mundësi?

Në fakt, kur e kam nisur me Hanovërin, as më shkonte ndër mend se do të qëndroja kaq gjatë. Nisi me të rinjtë, në ekipin rezervë, pastaj kalova me ekipin e parë, luajta rregullisht dhe u bëra kapiten. Më pas, nuk dëshiroja të lëvizja më, nuk jam nga ata futbollistë që ka pasur qejf të lëvizë shpesh në karrierë. Kam pasur edhe fat, sepse ka raste që një trajner i ri të thotë që nuk bën pjesë në planet e tij dhe nuk ke çfarë bën, largohesh. Ia kam kaluar mirë, ka qenë një periudhë fantastike tek Hanovëri, kam marrë shumë, në çdo drejtim.

Duke folur për ato që ke marrë, ndoshta po të ishe në kulmin e karrierës në këtë moment, do të kapje ndonjë kontratë të shkëlqyer, duke parë ritmet e shpenzimeve në futboll.

Jo, në të vërtetë nuk e kam zili futbollin aktual. Duhet të sqarojmë diçka: edhe në kohën time, dekadën e shkuar, ka pasur shumë para në futboll dhe unë kam fituar jo pak. Nuk kam asnjë keqardhje, futbolli më ka dhënë shumë dhe nuk duhet të harrojmë që unë vija nga Shqipëria, e nisja nga zero, pra e rëndësishme është të dish ta menaxhosh atë që fiton. Mua më vjen më shumë keq për futbollistët e brezave të mëparshëm, sepse nuk mund të mos kujtojmë që Shqipëria ndër breza ka pasur futbollistë fenomenalë, por që nuk kanë arritur aty ku duhej, nuk kanë përfituar financiarisht nga futbolli dhe kanë vuajtur në çdo drejtim. Brezi im e më pas jemi me fat, sepse i kemi pasur mundësitë të ndërtojmë jetën bazuar te të ardhurat nga futbolli.

Në fakt, nga futbollist je transformuar në një biznesmen mjaft të suksesshëm, ndoshta në këtë aspekt duhet të përdoresh si shembull si menaxhohen të ardhurat dhe si ndërtohet e ardhmja.

Duke pasur parasysh ku kam qenë kur isha adoleshent dhe si e nisa, është e vërtetë, të rinjtë aktualë mund të nxjerrin ndonjë mësim. Futbollistët e rinj, sado të talentuar, duhet të bëjnë shumë kujdes dhe të punojnë shumë, duke mos fluturuar sapo kapin një kontratë dhe të fillojnë të mendojë vetëm si të shijojnë jetën. Futbolli ka shumë para, por është një karrierë e shkurtër, mbaron shumë më shpejt nga çfarë e mendon.

Meqë folëm për Hanovërin, këtë sezon ky klub po vuan për t’u kthyer në Bundesligë.

E vërtetë, Hanovëri luan në Bundesligën 2 dhe ka qenë një sezon i ndërlikuar, rivaliteti për kreun është i madh. E ndjek rregullisht, nuk i humbas kontaktet me ish-klubin tim dhe shpresoj që të ngjiten këtë sezon. Është një garë e ashpër, sepse duhen kapur dy vendet e para. Sot (dje) Hanovëri fitoi jashtë fushe dhe tani luan një finale të madhe kundër Shtutgartit. Nëse fiton, ngjitet në Bundesligë, përndryshe ndoshta mbetet në play-off.

Pikërisht, play-off ndoshta përballë Hamburgut, sa i trembesh?

Në fakt në play-off është gjithnjë tepër e vështirë për klubet e Bundesligës 2, nuk është se kanë pasur fat. Klubet e Bundesligës kanë ekipe të forta, ndaj triumfojnë në play-off. Aq më keq po ra Hamburgu, që është një klub i pasur, që nuk ka rënë kurrë nga Bundesliga dhe këto vitet e fundit është mësuar të mbijetojë në fund. Aty luan edhe Mavraj, uroj të shpëtojnë direkt, pa play-off, por edhe Hanovëri të ngjitet direkt. Gjithsesi, edhe nëse përballen, gjithçka mund të ndodhë, sepse Hamburgu vërtet është një emër i madh, shumë i madh në Bundesligë, pas Bajernit, Dortmundit e ndonjë klubi tjetër, por në futboll nuk mjafton emri dhe nuk mjafton as buxheti i madh, duhet të dish ta shfrytëzosh.

Shpesh është thënë që Hanovëri u ka bërë oferta për të qenë pjesë e klubit, por keni refuzuar.

Në fakt, është e vërtetë, më kanë ofruar shpesh rolin e trajnerit te grupmoshat. Unë kam marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit e Hanovërit, shumë prej drejtuesve aty janë ish-futbollistë e shokë të ngushtë të mi, të cilët shpesh më pyesin a dëshiroj të punoj aty, por kam refuzuar sepse dëshiroj të jem më i mirë për impenjimet e mia. Nuk mundem ta bëj trajnerin, është ngarkesë e madhe dhe e vazhdueshme, nuk ka fare pushim, ndërkohë që unë kam bizneset e mia, bëj edhe menaxherin e futbollistëve.

Pikërisht, menaxher dhe në listë ke edhe një emër që në Shqipëri e njohim mirë, Milot Rashicën. Shumë po flitet për të dhe të ardhmen e tij.

Është e vërtetë, është një lojtar shumë cilësor, po ecën me hapa të shkëlqyer në karrierën e vet. Te Vitese po rritet mirë, është bërë një lojtar i rëndësishëm dhe këtë sezon sërish ka shënuar dhe ka dhënë shumë asiste. Ishte vendimtar edhe në finalen e Kupës së Holandës, kundër AZ Alkmarit. Vitese fitoi kupën e parë në histori, ishte një ndeshje jo e bukur, por kishte shumë stres brenda dhe rashica u tregua vendimtar me asistin që zhbllokoi ndeshjen.

Po flitet prej kohësh për Napolin, ku e sheh të ardhmen e Rashicës?

Në fakt ka shumë interesime, ka shumë klube që e vëzhgojnë dhe natyrisht gjithçka është në dorën e Viteses. Megjithatë, Miloti nuk do të nxitohet dhe mendoj se është në të mirë të tij të shkojë në një klub ku të vazhdojë të rritet, të mësojë dhe të luajë. Ka oferta nga shumë kampionate, edhe Anglia e Gjermania, edhe nga Holanda, ku Ajaksi dëshironte ta blinte që në janar, ndërsa tani interesohen edhe Fejenordi e PSV-ja, por siç e thashë, duhet kujdes dhe pak durim.

Mos ndoshta Ajaksi i bukur që po shohim në Europa League dhe që ka një ekip shumë të ri do të ishte një zgjedhje e mirë?

Po, Ajaksi është një klub perfekt për të rinjtë. Edhe financiarisht mund ta kënaqë Vitesen, sepse duhet pasur parasysh që ofertat brenda Holandës janë ndryshe nga ato prej Anglisë, për shembull, por Ajaksi është një emër i madh, që mund të ofrojë edhe lojtarë në këmbim, apo një përqindje në rastin e rishitjes.

Përveç Rashicës, kush është ndonjë talent që je duke e ndjekur me vëmendje dhe shpreson që të bëjë përpara në karrierë?

Një që më vjen ndërmend tani është Mario Dajsinani. Është një portier shumë i talentuar, me të dhëna të shkëlqyera. Ka pasur një provë në Holandë, shpresojmë që në të ardhmen të transferohet në një kampionat të huaj, sepse të jemi të sinqertë, nuk është njësoj të rritesh në Shqipëri dhe të rritesh jashtë saj. Për fatin e tij, Dajsinani është një djalosh shumë i mirë, me këmbët në tokë, nuk fluturon dhe ka dëshirë të punojë. Besoj se ka një të ardhme të rëndësishme, për veten, por pse jo edhe për kombëtaren, sepse është shumë i ri dhe dihet që portierët kanë një rritje ndryshe nga futbollistët, duan kohën e tyre.

Përmende kombëtaren, si e ke parë kombëtaren së fundi dhe çfarë mendimi ke për menaxhimin që u bë pas Europianit? Mos ndoshta kualifikimi në Europian na e shtoi pak si tepër oreksin dhe ëndërruam edhe Botërorin?

Në fakt, të jemi të sinqertë, kualifikimi në Europian ishte mbledhja e shumë faktorëve bashkë. U bë gjithçka perfekte në çdo drejtim, puna e federatës, lojtarët, grupi, trajneri, fati, e të tjera… Vajtja në Europian nuk është diçka që na ndodh shpesh dhe ndoshta i shtrimë këmbët më shumë sesa kemi jorganin. Pikërisht kualifikimi na hapi rrugën për të ëndërruar, por ishte e qartë që në fillim që ekipe si Spanja dhe Italia nuk i lë dot poshtë. E bëmë një mrekulli duke shkuar në Europian, por ishte situatë tjetër, grup më i ekuilibruar dhe vetëm Portugalia ishte dukshëm superiore në letër, ndërsa tani është shumë më e vështirë.

Mos ndoshta procesi i rinovimit duhej të ishte në fokus, në krahasim me pretendimet për kualifikim?

Tani duhet parë edhe çfarë brumi kemi, sepse nuk është se kemi lojtarë pa fund në dispozicion për kombëtaren, që të bëhet rinovimi. Ka momente kur ke lojtarë shumë në formë dhe që luajnë rregullisht nëpër klube, ka momente që nuk ke shumë cilësi dhe detyrohesh vazhdon me thuajse të njëjtin grup. Të mos harrojmë që nuk prodhojmë lojtarë, kampionati shqiptar u kushton pak rëndësi të rinjve, ndërsa ata që luajnë jashtë jo të gjithë arrijnë të evidentohen e të luajnë në nivele të larta.

Deri tani lojtarët nga Kosova kanë dhënë një kontribut të madh në kombëtaren tonë, por tani e tutje, cila do të jetë zgjidhja për të zëvendësuar lojtarët që në të ardhmen do të përfaqësojnë Kosovën?

Në fakt, e thashë që kampionati ynë nuk prodhon talente me shumicë dhe ky është një problem i madh. Megjithatë, shpresëdhënës është fakti që kemi shumë shqiptarë që jetojnë nëpër Europë dhe shumica e futbollistëve të rinj zgjedhin të përfaqësojnë Shqipërinë. Ka shumë lojtarë shqiptarë të rinj nëpër Europë, që po rriten, pa harruar edhe ndonjë që del nga Superiorja dhe e gjen rrugën e vet. A u kushtojnë vëmendje klubet shqiptare? Është e vërtetë që me 10 skuadra dhe me kaq shumë presion për kreun dhe mbijetesën , shumë klube nuk e kanë kohën dhe dëshirën të presin të rriten lojtarët e rinj. Megjithatë, një lojtar cilësor e gjen gjithnjë rrugën e vet, pa harruar që ndonjë klub si Teuta u jep goxha hapësirë të rinjve. Ndoshta problem është edhe numri i madh i të huajve në Shqipëri, sepse dihet që me paga të ulëta nuk merr dot lojtarë shumë cilësorë dhe kjo përbën një problem për klubet dhe të rinjtë shqiptarë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here