Allmuça: Nëse Kukësi nuk mundet, me një dorë tek titulli

0

Igli Allmuça është një nga emrat më të spikatur që ka luajtur në futbollin shqiptar në dekadat e fundit. Një futbollist fitues në fushë, Allmuça tani tenton që të jetë i suksesshëm dhe në fushën e trajningut. Si një “ish” i Skënderbeut dhe Kukësit, Allmuça flet për kryendeshjen e kësaj jave. Ai e shikon Skënderbeun më të mirë në aspektin e cilësisë. Miqtë në të dyja skuadrat e bëjnë që të mos bëjë tifo për asnjërën skuadër, por e deklaron se Kukësi do të kënaqej dhe me një barazim, që për të do ta kthente në pretendentin kryesor për titull. Dinamo? Kthimi i fushave do ta kthente ne elitë.

Si e shikoni ndeshjen mes këtyre dy ekipeve, të cilat i njihni mjaft mirë?     

Kjo është si një finale e parakohshme për të dy ekipet. Është një ndeshje ku të treja rezultatet janë brenda në fushën e lojës. Ndeshje të tilla quhen si finale, si derbi dhe të tre rezultatet janë të pranueshme.

Cilat do të evidentonit si pikat më të forta?

Është paksa e vështirë sepse të dyja ekipet janë të kompletuara, megjithatë për sa i përket cilësisë, Skënderbeu qëndron më lart, por dhe Kukësi ka individualitete që të zgjidhin ndeshjen

Po ato të dobëta?

Mendoj se në një ndeshje futbolli nuk mund të veçojmë pika të dobëta ose të forta. Një pikë e fortë në një ndeshje mund të jetë e dobët në ndeshjen tjetër dhe anasjelltas. Një lojtar që mund të llogaritet shumë cilësor mund të jetë në një ditë jo të mirë dhe një lojtar normal mund të zgjidhë ndeshjen. Po them në cilësi Skënderbeu qëndron më lart.

Kë shikoni më favorit për të triumfuar në fund?

Kukësi them se luan për dy rezultate, pavarësisht se ata deklarojnë vetëm për fitore. Kukësi dhe nëse merr një barazim, them se ka hedhur një hap të madh drejt titullit, duke pasur parasysh kalendarin që ka Kukësi dhe rivalët mendoj se nëse nuk thyhet në Korçë, ka hedhur një hap shumë të madh drejt titullit.

Për kë do të bëjë tifo Allmuça?

Kam luajtur dhe kam shuam miq tek të dyja skuadrat, them le të fitojë më i miri. Do ta shoh ndeshjen pa tifozllëk. Shpresoj të bëhet një ndeshje shumë e bukur, spektakolare, ashtu siç i ka hije këtyre dy skuadrave që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar këtyre dy viteve të fundit. Kanë pasur rivalitet shumë të madh mes njëri-tjetrit, madhe dhe thumbues ndonjëherë, por brenda kornizave sportive çka e ka bërë akoma dhe më të bukur rivalitetin. Ka qenë një rivalitet “fair play”, ashtu dhe ai i presidentëve

Ku mendoni se do të shkojë titulli këtë sezon?

Partizani është në lojë, ka një skuadër shumë solide, shumë të mirë, por ajo që nuk shkon tek Partizani është presioni i titullit. Ka shumë vite pa e fituar titullin dhe po të mos e kishte këtë presion besoj se do të kishte shumë më shumë pikë. Kjo tregon se Partizani 2-3 vitet e fundit ka qenë rivalizues për titull por ka gabuar aty ku nuk duhet të gabonte, në ndeshjet së paku në letër të lehta. Të treja skuadrat janë favorite, por e them me bindje të plotë, nëse Kukësi merr qoftë dhe një barazim është më i favorizuar në Korçë.

Si po shkon eksperienca juaj tek Dinamo tani si trajner?

Objektivat tona kanë qenë modeste dhe rikthimi do të ishte shumë i mirë, por është vështirë që të rikthehen fushat. Nëse Dinamos do i rikthehen fushat, rikthimi në Superiore është shumë i lehtë.  

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here