Allmuça “hap kartat”: Ju tregoj shtysën e Dinamos për kreun

Kategoria e Parë ka mbyllur gjysmën e parë të sezonit në vazhdim, dhe Dinamo në Grupin A u rendit në vendin e 3-të me 24 pikë. Për këtë situatë, trajneri Igli Allmuça deklaroi për SportEkspres.com, se skuadra ka bërë performancë të mirë, por edhe ka gabuar, duke ju referuar kryesisht një barazimi me Korabin dhe humbjes me Vllazninë.

“Ndoshta duhet të kishim më shumë pikë në renditjen e 14 javëve, këtu kam parasysh hapin fals me Korabin dhe humbjen e tri pikëve me Vllazninë. Në të gjitha ndeshjet e tjera skuadra ka bërë performancë të mirë dhe jam i kënaqur me pjesën më të madhe të titullarëve që përballuan këto ndeshje”.

Ndërsa për vazhdimësinë e sezonit, Allmuça deklaroi se skuadra që ai drejton do të punojë më fort në gjysmën e dytë, madje ai e shikon Dinamon edhe si një pretendente. “Pjesa e dytë e këtij kampionati bëhet edhe më e vështirë, nisur edhe nga përgjysmimi i pikëve në fazën e tretë. Por kjo besoj se për Dinamon do të jetë një shtysë reale për synimin madhor: rivalizimin me Vllazninë për vendin e parë”.

Por e veçanta në deklaratën e Allmuçës është edhe konceptimi i merkatos së janarit, të cilën ai nuk e shikon shumë pozitive. “Ne kemi nevojë për përforcime, por në këtë merkato gjatë muajit janar nuk do të kërkojmë futbollistë që të plotësojmë organikën. Merkato jonë do të jetë me pikatore, vetëm për lojtarë cilësorë, jo sasiorë”, theksoi më pas trajneri i Dinamos në deklarimin e tij.

Në katër javët ndërprerje të kampionatit, Allmuça deklaron se Dinamo do të zhvillojë përgatitje kryesisht në planik tekniko-taknik, por edhe ndeshje miqësore. Skuadra dinamovite renditet në vendin e tretë në Grupin A të Kategorisë së Parë dhe në ndeshjen e javës së 15-të luan me Vorën e vendit të fundit në këtë grup.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *