Alla në superformë, një sinjal për Panuçin

Mbrojtësi po paraqitet në nivele të larta. De Biazi e provoi në kombëtare, tashmë mungesat pa fund e bëjnë një zgjedhje thuajse të detyruar ndeshjet e radhës

Jurgen Zela

Kukësi i ri, ai i Milinkoviçit dhe ndryshimeve të mëdha verore, ka një të përbashkët të madhe me atë që fitoi titullin sezonin e fundit: mbrojtja është sërish perfekte. Në fakt, prapavija e verilindorëve nuk ka ndryshuar fare, një arsye më shumë që gjithçka të ecë “vaj”, por pak frikë ekzistonte, si për ndryshimet në repartet e tjerë, ashtu edhe për çështjet e krijuara në verë, kur Koliçi e Alla, por edhe Shameti, ishin pranë largimit në momente të ndryshme. Të gjithë kanë qëndruar dhe ajo që bie në sy është se edhe Alla, i largua për shumë javë drejt Greqisë, është kthyer qetësisht, nuk ka pasur asnjë problem në rigjetjen e formës optimale dhe me Shametin formon një dyshe të jashtëzakonshme.

RENDIMENTI – Vetë trajneri Milinkoviç pas emërimit të tij si teknik i verilindorëve kërkoi rikthimin e Albi Allës, që të mos kishte asnjë ndryshim nga sezoni i shkuar. Edhe pse drejtuesit dhe lojtari patën raporte mjaft të tensionuara, gjetën në fund gjuhën e përbashkët. Alla luajti sezonin e fundit 30 ndeshje si titullar në Superiore dhe ishte pa dyshim një ndër zbulimet e mëdha të kampionatit, edhe pse realisht vlerën e vet e kishte treguar që te Bylisi sezonin paraardhës, por pakkush e priste që të shkëlqente në ekipin që do të fitonte titullin pa asnjë humbje deri në ngritjen e trofeut. Në 30 ndeshje, asnjë karton i kuq, me 11 kartonë të verdhë dhe vlerësime mjaft pozitive çdo javë.

KOMBËTARJA – Xhani De Biazi kishte premtuar rinovim të kombëtares dhe në mars një ndër emrat që bëri pjesë të kombëtares shqiptare ishte edhe Albi Alla, i cili luajti një pjesë loje në miqësoren kundër Bosnje-Hercegovinës. Në moshën 24-vjeçare, Alla i plotëson të gjitha kriteret, pasi është i ri, ka fituar goxha eksperiencë dhe është një alternativë e mirë për të ardhmen. Natyrisht, e penalizon fakti që luan në Shqipëri, pasi duan s’duan, trajnerët e kombëtaret në fokus kanë ata që luajnë në kampionate më cilësorë, por në kohëra të vështira Alla është një alternativë e mirë.

MUNGESAT – Si rrallë këto vitet e fundit, Shqipëria bëhet gati për një ndeshje kualifikuese duke pasur thuajse gjysmë formacioni jashtë. Mërgim Mavraj, Burim Kukeli dhe Odise Roshi u ndëshkuan me karton të verdhë në Maqedoni, ndaj më 6 tetor në Spanjë do ta bëjnë pushim, për të luajtur 3 ditë më vonë ndaj Italisë. Mungon edhe Berat Gjimshiti, i dëmtuar, prania e së cilit është për t’u përjashtuar, ndaj në këtë moment Panuçi ka vetëm një titullar në qendër të mbrojtjes, Arlind Ajetin, duke shpresuar që ky të mos ketë probleme fizike. Emrat e tjerë? Ndoshta Veseli, ndoshta Andi Lila, por qendra e mbrojtjes ka një problem madhor dhe kjo vihet re lehtë. Ndoshta Albi Alla do të ishte një zgjedhje e mirë, për të qenë të mbuluar në rast nevoje, fundja Panuçi e ka deklaruar edhe më parë se kampionati shqiptar do të jetë nën vëzhgim dhe do të afrojë disa lojtarë të rinj në kombëtare për ndeshjet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *