Alla mund të rikthehet, Koliçi futet ndërmjetës

Kukësi nuk ka humbur asnjë çështje ligjore, asnjëherë. Kjo verë ishte “monotone” me gjyqet e fituara, pasi asnjë nga lojtarët që kishin pretendime nuk arritën të shkëputen nga klubi. Mund të jetë e drejtë, mund të jetë e padrejtë, mund të lindin 1001 pikëpyetje, por fakti është kokëfortë. Nijas Lena e zgjidhi çështjen në mënyrë miqësore me presidentin Safet Gjici dhe u largua duke marrë letrat, Koliçi rinovoi përsëri, te Kukësi thonë se Emini ka humbur gjyqin në Federatën Shqiptare të Futbollit, po Alla? Mbrojtësi mund të jetë surpriza e madhe e kësaj merkatoje.

Kukësi pretendon se e ka nënkontratë, lojtari ka deklaruar të kundërtën, madje ka gjetur edhe ekipin e ri. 24-vjeçari është stërvitur madje dhe prezantuar te Larisa, por skuadra greke nuk e ka aktivizuar nga frika e kontratës me kampionët e Shqipërisë. Në kushte të tilla, Kukësi është hedhur në sulm. Presidenti Safet Gjici kërkon ta kthejë në ekip, pasi dëshiron të sigurojë përsëri shërbimet e mbrojtësit. Rruga është e vështirë, por jo e pamundur, palët janë të acaruara, por përsëri mund të gjendet gjuha e përbashkët, Enea Koliçi ka marrë rolin e “ndërmjetësit” për të rikthyer Allën pranë ekipit.

RIKTHIMI – Mbrojtësi Albi Alla nuk do të lihet i lirë nga klubi i Kukësit. Kampionët e Shqipërisë besojnë se i kanë të gjitha “kartat” në favorin e tyre, prandaj kërkojnë që të bindin përsëri 24-vjeçarin të rikthehet në skuadrën e tyre. Futbollisti nuk e dëshiron diçka të tillë, por në kushtet kur nuk ka asnjë mundësi tjetër mund të bëjë prapakthehu.

KOLIÇI – Një ndër të “dorëzuarit” e “betejave” me klubin e Kukësit është Enea Koliçi. Portieri pranoi të rikthehej dhe duke parë miqësinë e tij me Albi Allën, presidenti Safet Gjici i ka kërkuar që të negociojë me të për rikthimin e shtatlartit. Koliçi do të flasë me Allën dhe do të mundohet ta bindë për një rikthim edhe pse situatat janë mjaft të vështira. “Gardiani” ka shfaqur optimizëm para presidentit dhe klubit të Kukësit për mundësinë për ta bindur atë, tregojnë burime pranë klubit verilindor.

MILINKOVIÇ – Rol në këtë vendim ka edhe trajneri Mlladen Milinkoviç. Tekniku serb ka kërkuar rikthimin e Allës, pasi do të preferonte që të luante me të dhe Shametin në prapavijë. Dyshe që ka luajtur bashkë sezonin e shkuar dhe e njohin mjaft mirë lojën e njëri-tjetrit. Numri një i stolit të kampionëve e pëlqen Allën dhe e ka vendosur në krye të dëshirave të tij për mbrojtjen.

GJICI – Një ndër vështirësitë e arritjes së rikthimit të mbrojtësit mund të jetë edhe mënyra e pritjes nga ana e klubit dhe presidentit Gjici. Megjithatë sipas burimeve pranë kreut të klubit, pritja për të do të jetë mjaft e mirë. Futbollisti nuk do të penalizohet dhe do të vazhdojë normalisht të punojë me pjesën tjetër të ekipit.

Për momentin ndërmjet Kukësit dhe Allës janë duke u hedhur urat e komunikimit, ndërsa trenin pritet ta nisë Koliçi drejt stacionit të përbashkët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *