Aliti: Pres konkretizimin e ofertave, Skënderbeu mbetet për titull

Shumë emra të mëdhenj që nuk janë më. Shumë fytyra të reja në kontingjent, për një ekip që po ribëhet nga e para për të qëndruar konkurrues. Fidan Aliti e pranon se Skënderbeu nuk po kalon një situatë të lehtë, por ka besim te drejtuesit e klubit. “Kemi një trajner të ri dhe lojtarë të rinj: situata te Skënderbeu nuk është shumë e lehtë. Në raste të tilla nevojitet kohë që lojtarët të njihen me njëri-tjetrin, të kuptojnë mënyrën e punës edhe lojën, për të funksionuar si duhet. Kjo kërkon kohë, por besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe do të bëjmë mirë”, tha mbrojtësi.

Pas Gavazajt, që u shfaq të hënën që kaloi në një konferencë lamtumire, e njëjta gjë duket se u vendos edhe për 24-vjeçarin, që pritet të jetë një tjetër shitje e madhe në merkaton e verës. Për situatën e tij, Aliti tha: “Personalisht jam në kontratë me Skënderbeun, për aq kohë sa do të jem me këtë ekip, do të jap gjithmonë maksimumin tim. I jam shumë mirënjohës Skënderbeut pasi kur kam qënë para një viti më është hapur dera dhe kam fituar shumë nga ky ekip. Kam dhënë kontributin tim sa herë më është kërkuar por edhe kam marrë shumë”.

Për një lojtar në rritje është normale që të synojë edhe aventurën jashtë Shqipërisë, me shpresën e një karriere të suksesshme. “Sigurisht që dëshiroj të transferohem jashtë, kjo është diçka që e duan të gjithë. Por, jemi ende në bisedime dhe asgjë nuk është vendosur. Janë disa klube që janë interesuar, megjithatë deri më tani nuk ka asgjë kontrete. Unë jam i intersuar që të shkoj në një ekip që të luaj, por sigurisht që edhe oferta të jetë e mirë për klubin. Kjo është pjesa e futbollit dhe të gjithë duan të jenë të kënaqur në një transferim”, tha mbrojtësi I përfaqësueses së Kosovës.

Edhe pse drejt largimit, Fidan Aliti beson se Skënderbeu do të mbetet pretendent për titullin edhe gjatë sezonit të ardhshëm. “Me këtë grup që kemi dhe me premtimet që po bën klubi, jam i bindur se do të ecim shumë lart. Skënderbeu është i ndërtuar për të qënë në krye të renditjes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *