Alioski: Asnjë kontakt me Shqipërinë, politika të mos përfshihet në këtë sfidë

Flet sulmuesi i Lids Junajtidit dhe ish shok skuadre me Sadikun: “Në Shkodër na mundën pasi u shty, por këtu do të bëjmë më të mirën. Tifozët të bëjnë atmosferë, t’i lëmë incidentet”

“Pas fitores ndaj Izraelit, mendoj se jemi në formë mjaft të mirë dhe këtë formë duhet ta mbajmë edhe kundër Shqipërisë. Pas fitores, atmosfera në ekip është ideale dhe pozitive. Pas çdo fitore, ekip duket edhe më i motivuar”. Ezgjan Alioski ka lindur disa kilometra larg Strumicës, në Prilep të Maqedonisë, edhe me pse me origjinë shqiptare (Ezgjan Aliu). Sakaq, ka edhe pasaportë zvicerane, aty ku ka kaluar momente të shkëlqyera duke pasur shokë ekipi Frederik Veselin, por edhe Armando Sadikun, me të cilin ndante edhe gëzimin e festimeve të golave të Lugano, me kripën e famshme… Në një intervistë për “Eduasportin”, ai ka folur rreth përballjes me kuqezinjtë, duke hedhur poshtë aludimet se është thërritur nga kombëtarja e Shqipërisë dikur… “Kurrë s’më ka ardhur ftesë, jo vetëm kaq, por që nga U-17 e më tej, kam luajtur me përfaqësuesen e Maqedonisë. Do të jetë një ndeshje me emocione, sigurisht, duke qenë se do të përballem me Sadikun dhe Veselin, miqtë e mi. Por, e shoh edhe si normale…”.
Për Maqedoninë, ashtu edhe për Shqipërinë, do të jetë hera e parë në Strumica: “Nuk kemi luajtur më parë. Besoj se do të jetë njësoj për të dy skuadrat. Nuk e ndërrojmë dot. Pse u zhvendos në këtë qytet? Nuk kam një përgjigje”.
Sakaq, mendimi shkon në sfidën në “Loro Boriçi”, ku në një ndeshje maratonë që zgjati dy ditë, Shqipëria fitoi me golin e Bekim Balajt: “Mendoj se në atë ndeshje meritonim të paktën barazimin. Sidomos, sepse në pjesën e dytë bëmë mjaft mirë dhe nëse s’do të ishte ndërprerë nga shiu, do ta kishim fituar. Tani, koha për revanshin”.
Sakaq, atmosfera pritet e nxehtë dhe mund të ketë edhe trazira, teksa Alioski shprehet: “Politika s’duhet të ndërhyjë, kurrsesi. Ne do të fokusohemi në fushën e lojës. Pastaj, nuk e di se çfarë do të ndodhë me tifozeritë. Uroj që gjithçka të shkojë më së miri në fushë dhe mos ketë incidente dhe politika të mos përfshihet. Jemi profesionistë. I ftoj tifozët të dhurojnë një atmosferë të bukur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *