Aleksi: Të vazhdojmë në këtë mënyrë, ju tregoj rolin tim të preferuar

Luftëtari gjeti forca për të reaguar pas problemeve të shumta dhe humbjes së thellë kundër Kastriotit në shtëpi. Bluzinjtë ia dolën të sigurojnë një trepikësh fantastik kundër Laçit në Kurbin dhe ndihen shumë të lumtur.

Albano Aleksi shënoi golin e dytë në fitoren 0-2. Kapiteni ka folur për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, duke folur për fitoren, pozicionin e preferuar në fushë, ndërrimin e trajnerit dhe ecurinë e Luftëtarit.

NDESHJA – “Trajneri i ri na ka sjellë një frymë të mirë në skuadër. Jemi në një moment të mirë dhe kjo gjë u pa dhe sot. Në ndeshjen kundër Kastriotit, nuk kishim gjysmën e skuadrës në dispozicion dhe shpresoj që ajo sfidë të harrohet sa më shpejt, pasi ishte vetëm një ndeshje momenti, ku lojtarët nuk ishin as në formë për të luajtur dhe kishim edhe mungesa të rëndësishme. Sot bëmë një lojë shumë, shumë të mirë dhe të vazhdojmë kështu me kokën ulur.”

POZICIONI – “Ne lojtarët kemi qejf të luajmë, ndërsa pozicionin në fushë e vendos trajneri. Unë personalisht jam më komod para mbrojtjes, pasi kam vite që luaj aty. Por tani le të shikojmë se çfarë do të ndodhë në ndeshjet e ardhshme.”

TRAJNERËT – “Besoj se nuk është problem i trajneri Mezani. Na duhej një motivim më shumë për të marrë pikë. Ekipi ka kualitet dhe profesor Juli ka sjellë frymë të re në skuadër. Profesor Juli ka sjellë dhe skema të reja, që na bëjnë më komod, pa hedhur poshtë skemat e Mezanit. Ndeshja kundër Kastriotit na eci ters, nga gabimet tona kundërshtari shënoi 5 gola. Sot në Laç kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, pasi nuk dua të them të shkëlqyer. Bëmë presing lart dhe treguam se jemi një skuadër e konsoliduar.”

SITUATA NË KLUB – “Më vjen keq për profesor Mezanin që u largua kështu, por futbolli i tillë është. Shpresoj që klubi dhe presidenca të marrë vendimet e duhura. Ne si lojtarë duhet të ulim kokën dhe të punojmë. Pjesën tjetër nuk e dimë ne.”

LUHATJET – “Në radhë të parë, kemi bërë një fazë përgatitore jo shumë të mirë, për shkak të motit. Ekipi është i stërvitur mirë tani dhe na duhej vetëm besimi. Shpresoj që ndeshja kundër Kastriotit të mos përsëritet, pasi ishte një ndeshje momenti. Shpresoj të vazhdoj me kokën ulur dhe të marrim pikë sa më shumë. Pse jo, të vazhdojmë me fitoret”,- përfundoi Aleksi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *