Aleks Ferguson jep mesazhin e parë që pas operacionit në tru

Sër Aleks Ferguson ka folur për herë të parë publikisht, që prej 5 majit, kur pësoi një hemorragji cerebrale.

Mançester Junajtid ka postuar në Twitter një videomesazh të trajnerit legjendar, i cili premton se do të kthehet në Old Trafford për të parë Junajtid në fushë.

“Më 5 maj, bota e futbollit u trondit nga lajmi se Sër Aleks Ferguson u operua për një hemorragji në tru. Që atëherë, menaxheri më i suksesshëm në historinë e futbollit anglez ka luftuar në një mënyrë që vetëm ai e di si. Sot, po ju sjellim një mesazh special”, shkruhen në ilustrimin e videos.

Përshëndetje, kam thjesht një mesazh të shpejtë. Së pari, falënderoj stafin mjekësor në Macclesfield dhe Salford Royal Hospital. Më besoni, pa ata njerëz që u kujdesën aq shumë për mua, nuk do isha sot këtu. Faleminderit, prej meje dhe familjes sime. Kam marrë mesazhe pa fund nga e gjithë bota dhe ju falënderoj për mbështetjen e jashtëzakonshme. Së fundi, do të kthehem më vonë gjatë sezonit për të parë Junajtid në stadium. Ndërkohë, gjithë të mirat për Zhoze Murinjon dhe lojtarët”, deklaron Ferguson.

Ndër reagimet pa fund poshtë videos ishte edhe një mesazh nga Uejn Runi: “Fantastike që ju shoh sërish”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *