Alegri s’e ka frikë Barcelonën: Por duhet të shënojmë!

Juventusi përballet me Barcelonën në “Camp Nou”, trajneri i  bardhezinjve është optimist edhe pse ka një paralajmërim për të tijtë

Dy finale në tre vite, edhe pse të dyja të humbura, nuk mund të kalojnë pa u vënë re dhe është edhe falë këtyre rezultateve që Masimiljano Alegri, pas eksperiencës me Milanin, në stolin e Juventusit, është futur përfundimisht në kornizat e trajnerëve të mëdhenj evropianë. Dhe për ato dy sfida të humbura, por edhe për të tjera gjëra, trajneri livornez ka folur për sajtin e UEFA-s, që i  ka drejtuar pesë pyetje.

DY FINALE NË TRE VITE – “Tre vitet e fundit kanë qenë fantastikë, kemi arritur dy finale të Champions League-s. E para ishte e papritur, teksa në të dytën kishim më shumë shpresa për të shkuar me të vërtetë deri në fund. Nuk ia arritëm, por e konsiderojmë gjithsesi një sukses sepse nuk u ndodh të gjithëve që të luajnë një finale Championsi. Të fitosh Championsin nuk mund të jetë një objektiv, është një ëndërr. Dhe për të realizuar atë ëndërr duhet të punosh për shumë vite, mbi të gjitha të zhvillosh një përqasjeje mendore. Juventusi tenton të jetë vazhdimisht ndër më të mirat në Evropë. Për t’ia dalë duhet të planifikojë dhe të marrë lojtarë cilësorë. Besoj se klubi po bën me të vërtetë mirë në këtë aspekt”.

MË TË FORTË – “Ka shumë lojtarë të ndryshëm që sapo kanë mbërritur por ka qenë gjithnjë k3ështu që kur unë kam qenë te Juventusi. Ndërmjet finales së parë dhe të dytës, në tre vite, kanë mbetur vetëm katër lojtarë nga skuadra e vitit të parë. Klubi ka rritur shumë cilësinë dhe rezultatet kanë ardhur edhe duke ndryshuar shumë. Për të vazhduar të fitojmë duhet të punojmë shumë dhe të qëndrojmë të motivuar. Në fund, motivimi është ai që bën diferencën. Çdo vit është gjithmonë e më i  vështirë, të fitosh për herën e shtatë radhazi në Itali do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Skuadra është e fortë edhe pse duhet të përmirësojmë diçka në planin teknik dhe taktik”.

GRUPI i  EKUILIBRUAR –  “Grupi është i  ekuilibruar, shumë më tepër nga sa duket. Përtej Barcelonës, Sporting Lisbona dhe Olimpiakosi janë skuadra me shumë eksperiencë në Evropë. Nuk do të jetë e thjeshtë të marrësh pikë në këtë grup, por është një diskutim që vlen për të gjithë. Mund të humbiten pikë gjithandej”.

BARCELONA – “Është dhe mbetet një kundërshtar i  fortë, pavarësisht se nuk do të ketë me Nejmarin. Mbetet bashkë me Realin një nga skuadrat më të forta. Ajo që ne duhet të bëjmë atje është që të luajmë shanset tona pa frikë. Megjithatë duhet të shënojmë, në të kundërt, do ta kemi shumë të vështirë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *