Alegri: Ronaldo njeriu me mentalitetin më të fortë, ka një të përbashkët me Ibrahimoviç!

0

“Uria” e Ronaldo për sukses është e pafundme. Portugezi tashmë mban 34 vite mbi supe dhe akoma gjen motivin për të bërë më mirë. Është një nga legjendat e këtij sporti, por akoma nuk është ngopur. U largua nga Reali për një sfidë të re dhe për t’i provuar botës se ai mund të përshtatet kudo dhe kurdo.

Për këtë ambicie të pashtershme të yllit të tij, ka folur trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri. Italiani nuk ka parë asnjëherë më parë një njeri me mentalitet më të fortë se Ronaldo. Thote se portugezi, përtej moshës, e gjen gjithmonë një synim për të arritur. Në fund e krahason me Ibrahimoviç dhe kënaqësinë e përbashkët të tyre.

“Ronaldo është njeriu me mentalitetin më të fortë që kam njohur. Çdo ditë ai gjen brenda vetes objektiva të rinj për të arritur. Ka fituar gjithçka dhe është 34 vjeç, por akoma ndihet i uritur për triumf. Ka një vendosmëri vdekjeprurëse. Të gjithë duhet të mësojnë nga ai.”

“Edhe unë kam mësuar sepse jo çdokujt i qëllon të punojë me lojtarin më të mirë në botë. Ronaldo ngjan me Ibrahimoviç. Ata të dy arrijnë kënaqësinë vetëm duke fituar ndeshjet, ndryshe nga dikush tjetër që kënaqet duke bërë një lëvizje të bukur apo edhe një gol”, përfundoi Alegri.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.