Alegri: “Pranoj kritikat, jo mungesën e respektit. Kur shkova te Juve, më sulmuan me sende”

Kampion Italie, sërish, por jo Europe. Fat i çuditshëm ai i Maks Alegrit, i cili vijon serinë rekord të titujve kampionë, por askush nuk e konsideron trajner elite, vetëm për damkën e mungesës së Champions League, ëndrra e Juves dhe fiksim i parealizuar prej më shumë se dy dekadash.

Natyrisht, edhe vetë Alegri e çuan diçka të tillë dhe kjo bëri që të shpërthente në lidhje direkte me Sky të shtunën, duke sulmuar ashpër ish-futbollistin e Interit Gabriele Adani, për shkak se ky i fundit e kritikon shpesh pikërisht për mungesën e suksesit europian.

Sot Alegri ka qenë i ftuar në emisionin “Che tempo che fa” të Fabio Facios, ku ka folur për sherrin me Adanin: “Sot jam i qetë, dje u nxeha pak. Gjithnjë dëgjoj leksione, si duhen bërë gjërat, por njeri jam edhe unë. Nuk i shpjegoj askujt si duhet ta bëjë punën e vet, ndërsa Adani gjithnjë më jep këshilla e leksione, kritika pa fund. Unë kritikat i pranoj, por nuk pranoj mungesën e respektit dhe edukatës, nga njerëz që nuk e kanë bërë kurrë profesionin tim. 

“Edhe vjet, kur luajtëm kundër Interit dhe Higuain shënoi golin e 3-2, ndodhi e njëjta histori me Adanin”.

E ardhmja: “Do qëndroj te Juventusi. Pres një takim me presidentin Anjeli, për të folur për sezonin e ardhshëm. Eliminimi nga Champions dhemb ende, i nisëm pushimet para kohe. Me mirë të mos i kishim nisur kaq herët, Champions League na ka mbetur paksa në fyt”.

Alegri kujton kohën kur mori drejtimin e Juves: “Tani duket e lehtë, por kur shkova te Juve më pritën keq, hodhën sende pa fund drejt meje kur shkova në qendrën stërvitore të Juves. Për fat isha në makinë me presidentin. Gjithsesi, e di që më duan shumë, ajo ishte mënyra e tifozëve për ta treguar”.

Kurioziteti komik: “Szczesny është një emër dreqi që nuk e themi dot në Itali. Kur duhet t’ia them emrin, e shmang. Ka një vit që nuk ia shkruaj emrin fare portierit në dërrasën e skemave, por duhet ta bëj patjetër rri e mendohem”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *