Alegri paralajmëron: Kujdes Bolonjën, Dibala dhe Perin në formacion

Juventus vazhdon përgatitjet për përballjen e nesërme me Bolonjën. Dy ndeshje radhazi në shtëpi për bardhezinjtë, të cilët do të tentojnë të sigurojnë sa më shpejt fitoren me ekipin e Inzagit për t’u përqendruar te supersfida e fundjavës kundër Napolit. Trajneri Alegri ka folur në konferencën për shtyp, ku kërkon përqendrim, sepse Bolonja është një ekip, që lufton dhe vjen me moral të lartë pas fitores me Romën.

KUNDËRSHTARI – “Do të sfidojmë një Bolonja, që ka fituar pastër me Romën. Ata janë një ekip që dinë të vuajnë dhe të qëndrojnë në ndeshje dhe Inzagi është i aftë për ta bërë ekipin të luajë kështu. Aspekti psikologjik është i rëndësishëm, por duhet të luajmë si me Frozinonen, ku ekipi luajti në mënyrë të matur dhe të përgjegjshme.”

SITUATA E EKIPIT – “Kristiano ndihet mirë fizikisht dhe ka nevojë të vazhdojë të bëjë gola. Do të luajë dhe Dibala, i cili ka nevojë të kapë ritmin e duhur. Në portë do të jetë Perin, ndërsa nëse luan Barzalji, mund të luajmë me tre mbrojtës, ose me dy…ose nëse nuk luan, do të rikthehemi me katër mbrojtës. Aleks Sandro është në dyshim dhe nëse nuk ia del, do të luajnë Kanselo në të majtë dhe Kuadrado në të djathtë.”

KIN-BENTAKUR – Mund të luajë dhe Kin, i cili është një futbollist i Juventusit në të gjith aspektet dhe mund ta vendos përkrah Ronaldos dhe Dibala. Bentakur zhvilloi një ndeshje të mirë me Frozinonen në hapësirat e ngushta, por duhet të jetë më i bindur kur futet në zonë dhe godet portën. Do të kthehet dhe Matuidi dhe më duhet të zgjedh njërin nga Matuidi dhe Emre Çan.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *