Alegri ngushëllon Ronaldon: Meritonte “Topin e Artë”

Triumfi i Luka Modriç në garën për “Topin e Artë” ndau opinionin (ashtu si ndodh gjithmonë kur bëhet fjalë për të përzgjedhur më të mirin). Listës së atyre që besojnë se Kristiano Ronaldo duhej të kishte fituar edhe këtë herë, i shtohet edhe Masimiljano Alegri.

Trajneri i Juventusit deklaroi: “Ronaldo e shtoi profesionalizmin e madh që ekziston te Juventusi. Është një lojtar i jashtëzakonshëm. Pavarësisht se ka fituar 5 ‘Topa të Artë‘ jep shembullin e tij çdo ditë në stërvitje. Nuk mjaftojnë vetëm cilësitë teknike, Kristiano është një shembull për të rinjtë”.

“E meritonte ta fitonte ‘Topin e Artë‘ për atë që bëri vitin e kaluar me Realin e Madridit, duke fituar edhe Champions-in. Në Botëror nuk mund të shkonte më larg se aq me Portugalinë. Ky do të jetë një stimul më tepër për Ronaldon, që të bëjë mirë këtë vit, dhe ta fitojë sërish trofeun në 2019-ën”.

Me CR7 në formë të jashtëzakonshme, te bardhezinjtë ëndërrojnë suksesin në Champions League. Këtë e shpreson edhe Alegri: “Jemi vetëm në muajin dhjetor dhe asgjë nuk ka përfunduar. Kemi përpara derbin e Italisë me Interin, ku duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Në muajin mars duhet të jemi gati për sprintin final të sezonit, për të marrë kampionatin, Kupën dhe të shpresojmë se kjo do të jetë radha e duhur për të fituar edhe Champions-in”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *