Alegri: Kjo Juve, më e fortë? Flasim në mars!

Trajneri i bardhezinje nuk ngutet: Fjalët i merr era, në fushë duhen faktet. Kievo është një test i rëndësishëm përpara Barçës

Hapësirë të rinjve. Alegri është gati të hedhë në fushë asat e merkatos ndaj KIevos, në testin e fundit përpara debutimit sezonal në Champions League, në “Camp Nou”. “Në portë do të jetë Shezni, Bufon do të pushojë, në mesfushë Matuidi dhe Pjaniç, por duhet ende të vendos nëse do të luaj me dy apo me tre në mesfushë”. Në sulm me shumë mundësi do ta nisë si titullar Dagllas Kosta, teksa në mbrojtje me dyshim është De Shiljo. Juventusi i ri nis të marrë formë, por përpara Barcelonës është Kievo, Alegri nuk ka ndërmend të falë askënd.

RINDEZJA E MOTORËVE – “Ky Juventus është më i fortë se vitin e shkuar? Teoria nuk vlen, ajo që vlen është praktika dhe nëse në fund të sezonit do të kemi arritur, apo jo, gjëra të rëndësishmë. Në mars duhet të luftojmë për tre kompeticionet, edhe pse këtë vit Kupa e Italisë do të luhet e para. Nesër na duhen tre pikët, më pas do të mendojmë për Barcelonën. Nuk është një gjysmëfinale, por një ndeshje grupi. Objektivi i parë është të kalojmë turin. Besoj se nëntë pikë mund të mjaftojnë për të kaluar grupin”.

FORMACIONI — “Duhet të bëj disa zgjedhje. Kedira është jashtë, Markizio po e rimerr veten dhe shpresojmë që do të rikthehet shpejt. Kielini është gjithashtu i dëmtuar, por shpresojmë që ta kemi ndaj Barcelonës. Kuadradon nuk e pashë dje, shpresojmë që të jetë rikthyer, ndërsa Dibala ka bërë punë të diferencuar. Ndërsa ai që ka mbetur këtu dhe që nuk ka qenë i grumbulluar me kombëtaren, duke punuar mjaft mirë është Higuain. Fizikisht kishte nevojë të punonte, ndihet më mirë dhe nga ana psikologjie dhe do të rifitojë përfaqësuesen. Tani rinis sezoni i vërtetë me 7 ndeshje (5 në kampionat dhe 2 në Champions) në një muaj. Barzalji kthehet sot. Hëvedes ndihet mirë, po adaptohet me metodën e punës. Bentakur mund të jetë në krah të Pjaniçit, por të mos i japim shumë përgjegjësi që tani. Jam i kënaqur me atë që ka bërë, ka nevojë për kohë që të integrohet. Më erdhi keq që lashtë jashtë listës Champions Lihtshtajnerin, ishte një zgjedhje teknike, me Markizion jashtë kisha një mesfushor më pak”.

DAGLLAS DHE BERNA – “Nëse nuk luan Dibala mund të luajë Bernardeski në vend të tij, por edhe Dagllas Kosta. Bernardeskin e shoh si sulmues krahu te katër mesfushorët që kam, te njërin nga të tre sulmuesit dhe si një gjysmësulmue krahu. Dagllas Kosta është një lojtar i jashtëzakonshëm, me shpejtësi dhe teknikë. Ai i shpëton mbulimit, krijon superioritet numerik por ka nevojë të adaptohet me metodën e stërvitjes. Është një blerje e rëndësishme për Juventusin”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *