Alegri kërkon hakmarrje në Superkupë, Bonuçi tregon recetën

Juventusi do të ndeshjet nesër me Milanin në Doha të Arabisë Saudite për finalen e Superkupës së Italisë. Ndeshja nis në orën 18:30, ndërsa në kampin bardhezi janë të motivuar për duelin e famshëm.

Kundër kuqezinjve është gjithmonë një ndeshje e bukur dhe e vështirë. Diferenca mes ekipeve në kampionat është e madhe, por për Maks Alegrin kjo gjë nuk vlen. Trajneri i “Zonjës së Vjetër” ka folur për “Juventus TV”, duke vlerësuar kundërshtarin, por djemtë e tij janë gati t’u dhurojnë tifozëve trofeun e parë për këtë sezon.

Krahas trajnerit kanë folur dhe Leonardo Bonuçi dhe Emre Çan. Mbrojtësi tregon mënyrën se si i dilet përballë ekipit të Gatuzos, ndërsa gjermani i mesfushës është entuziast dhe i karikuar për këtë ndeshje.

ALEGRI – “Do të jetë një mbrëmje dhe një ndeshje e madhe. Do të tentojmë të fitojmë Superkupën në shtëpi, pasi i kemi humbur dy finalet e fundit. Diferenca e pikëve në kampionat nuk vlen në një ndeshje të vetme dhe fitorja ndaj Milanit do të thotë: rritje e vetëbesimit dhe dërgimi i kupës në shtëpi. Formacioni? Jam i kënaqur me gjendjen e Dagllas Kostës dhe Bernardeskit, të cilët po e marrin veten fizikisht dhe psikologjikisht. Kedira po kthehet lojtari që njohim të gjithë. Milani ka entuziazëm pas fitores në kupë dhe kjo është një ndeshje e rëndësishme për ta. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, midis dy ekipeve historike.”

BONUÇI – “Kemi shumë dëshirë ta fitojmë trofeun e parë të sezonit dhe kemi ardhur këtu me entuziazëm për të arritur objektivin. Nevojitet një Juventus agresiv dhe i kujdesshëm, sepse Gatuzo e ka treguar se është në gjendje ta bëjë Milanin të luajë bukur dhe të na vërë në vështirësi. Nuk duhet t’u lejojmë hapësira, të mos i lejojmë të mbajnë topin dhe të përfitojmë nga gabimet e tyre. Duam të bëjmë një ndeshje të madhe dhe fakti që stadiumi do të jetë i mbushur plot na karikon.”

EMRE ÇAN – “Është një trofe në mes dhe do të jetë një ndeshje e madhe. Nuk kam qenë më parë në Arabi dhe jam i kënaqur që po e përjetoj këtë eksperiencë. Atmosfera është e shkëlqyer, por do të jetë një finale e fortë. Duhet të jemi të përqendruar që nga fillimi.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *