Alegri ka një mesazh: Duhet të jemi gjithmonë me këmbën në gaz!

Ditën e nesërme futbolli në Itali do të përjetojë supersfidën Juventus-Napoli. Në orën 18:00, në “Allianz Stadium”, filozofia e Masimiliano Alegrit do të vihet përballë mentalitetit fitimtar të Karlo Ançelotit. Një ndeshje që përplas dy ekipet, që vitet e fundit në Itali kanë diskutuar çështjen e titullit kampion.

Pikërisht ditën e sotme trajneri i “zonjës së vjetër”, ka dalë përpara mediave për konferencën e zakonshme. Tekniku i bardhezinjve ka folur për ndeshjen e nesërme, si dhe për tema të ndryshme në lidhje me Ançelotin apo dhe me futbollin italian momentalisht.

NDESHJA – “Nesër do të jetë një ndeshje e fortë dhe po të hedhim një sy tek renditja, ka më shumë rëndësi për ta sesa për ne. Ne jemi në krye, duhet të luajmë mirë kundër një skuadre që ka ndryshuar trajnerin, duke marrë një ndër më të suksesshmit. Tashmë po shihet se ekipi i Napolit po merr mentalitetin e trajnerit. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe e fortë, duhet të jemi gati. Tifozët duhet të jenë të pranishëm, ne duhet ta shpaguajmë humbjen e vitit të kaluar. Jemi në një moment të mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë”.

DYBALA – “Dikush duhet të qëndrojë në stol, është e pamundur. Bernardeski është lojtari më në formë dhe të mërkurën ai përfundoi në stol. Nuk është e lehtë. Le të shohim stërvitjen dhe pastaj do të vendos”.

RIVALI I JUVENTUSIT – “Napoli është tre pikë prapa nesh. Ka luajtur ndeshje mjaft të mira, përveç Sampdorias. Nesër, në qoftë se fiton Interi, mund të afrohet. Fitimi i kampionatit nuk është i lehtë, për ne këtë vit është një tjetër sfidë: në kampionat, kupën e Italisë dhe në Champions, ku do të duhet të jemi me fat. Futbolli është i çuditshëm, në Valencia askush nuk mendonte se pas 10 minutash Ronaldo do të ishte përjashtuar. Janë episodet ato që vendosin. Ne duhet të jemi me këmbën në gaz gjithë kohën, veçanërisht në kampionat”.

ANÇELOTI – “Karlo ka fituar shumë, por dhe djemtë e mi më kanë dhënë shumë trofe, por më pak se ai. Ançeloti tregon qetësi, për mënyrën se si ai flet dhe afrohet me lojtarët. E tregoi këtë kudo që ai  ishte, ku fitoi shumë. Ne vijmë nga e njëjta shkollë dhe do të jetë një sfidë e madhe. Në futboll ai mbetet një fitues. Mund të pëlqehet apo jo, në fund shkruhen vetëm ata që kanë fituar, pjesa tjetër nuk llogaritet për asgjë. Ançeloti ka fituar gjithçka, aq shumë, saqë tani besoj do t’i duhet të ndalet për pak”.

DIFERENCAT – “Nesër do të jetë një ndeshje e ekuilibruar, kemi dy ekipet që kanë luajtur kampionatin në vitet e fundit. Ajo që Napoli po ndryshon në menaxhimin e ndeshjeve është evidente. Pëson më pak goditje në portë, pra është përmirësuar në mbrojtje. Lojtarët janë të njëjtë dhe e njohin njëri-tjetrin, ata kanë cilësi të mëdha. Karlo ka inteligjencën për të mos shkatërruar punën e Sarrit, por thjesht ka futur dhe mentalitetin e tij. Edhe kur humbi ndaj Sampdorias, ai bëri një konferencë pas ndeshjes si një trajner i madh”.

FORMACIONI – “Nesër luajnë Bonuçi, Kielini, Aleks Sandro, Pjaniç, Matuidi dhe Ronaldo. Për të tjerët do të shohim”.

SULMI – “Ekipi po rritet dita ditës, po gjejmë ekuilibrin sepse lojtarët njohin njëri-tjetrin dhe gjendja fizike dhe mendore po rritet. Nesër mendoj se zëvendësimet do të jenë vendimtare, disa lojtarë që janë jashtë mendoj se do të më japin gjëra që mund të jenë të dobishme”.

KRISTIANO RONALDO – “Jam i lumtur që do ta kemi në Mançester. Edhe me Bolonjën ai bëri një ndeshje të madhe. Kristiano luan për ekipin, ndërsa ekipi luan për të. Në ndeshjet në vijim, ne duhet të përmirësohemi pak më shumë në gjetjen e tij, por kjo është diçka që i përket grupit. Ne kemi së bashku 40 ditë, ose 30 duke hequr pushimin e kombëtareve. Ne kemi të gjithë kohën e duhur për të vijuar dhe të përmirësojmë gabimet.”

FUTBOLLI ITALIAN – “Kthimi i Karlos është diçka mjaft e mirë për futbollin tonë, pastaj Ronaldo i ka dhënë akoma më shumë vëmendje. Serie A është kampionati më i vështirë për të luajtur, ka shumë presion, është e vështirë të shënosh dhe të fitosh”, ka përfunduar Alegri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *