Alegri: Jemi kampionë për fjalë, e patë çfarë bëri Anglia për Sterling?!

Juventusi vazhdon përgatitjet për finalen e Superkupës kundër Milanit, por trajneri Alegri e ka mendjen tek ndeshja e Kupës së Italisë kundër Bolonjës. Bardhezinjtë vizitojnë kuqeblutë të shtunën në mbrëmje me qëllimin për të siguruar një vend në çerekfinale.

Gjatë konferencës për shtyp, Maks Alegri ka folur për kundërshtarët e nesërm, finalen kundër ekipit të Gatuzos, çështjen e racizmit, aty ku ndalet gjatë, dhe në fund e mbyll me një koment për Kristiano Ronaldon.

BOLONJA – “Pavarësisht pritjeve të Auderos dhe golit të anuluar të Saponarës, lejuam shumë hapësira në ndeshjen e fundit kundër Sampdorias. Duhet të rikthehemi menjëherë në rrugën e duhur dhe Kupa e Italisë është një objektiv i madh për ne, njësoj si kampionati, Champions Liga dhe Superkupa. Bolonja do të kërkojë të na eliminojë, por nuk duhet të ndodhë nesër një gjë e tillë.”

RACIZMI – “Nuk dua të bëj politikanin, pasi ka shumë të aftë rreth e rrotull… Sa i përket thirrjeve ‘buuu’, flasin gjithmonë të njëjtat gjëra sa për të thënë. Është e thjeshtë, ekzistojnë mjete për të shkuar dhe marrë ata që sillen keq. Nëse nuk gaboj, tifozi që i hodhi bananen Sterlingut në Angli nuk mund të hyjë më në stadiume. Nëse akordohet penallti dhe fillojnë thirrjet raciste, çfarë do të bëjmë? Kam dëgjuar të thuhen shumë gjëra dhe në Itali jemi kampionë bote në këtë aspekt. Në vend që të marrim vendime dhe të heshtim, të gjithë flasin dhe japin mend.”

SUPERKUPA NË ARABI – “Ka një kontratë të bërë nga Liga dhe ne duhet të ikim atje për të luajtur kundër Milanit. Ka dhe një hap të vogël pozitiv, pasi në stadium do të lejohen femrat. Të shohim aspektin pozitiv, pasi kemi dhe lidhje komerciale me vendin arab.”

CR7 – “Kristiano do të luajë, por të shohim se sa, si dhe pse. Nuk ka shkuar në kombëtare krahasuar me vitin e kaluar, ka humbur gjashtë ndeshje, të cilat i ka zhvilluar në kampionat me ne. Kin? Po, Moize mund të luajë si titullar me Bolonjën, ashtu si Spinazola që është në balotazh me Aleks Sandron.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *