Alegri gjithnjë e më larg Juventusit, po mendohet rikthimi i bujshëm!

Juventusi nuk është shumë i kënaqur me punën që po bën Maks Alegri. Humbja 2-0 në ndeshjen e parë kundër Atletikos së Madridit në Spanjë është tepër e vështirë për t’u kthyer, pavarësisht se bardhezinjtë do të bëjnë të pamundurën për t’ia dalë.

Fitimi i Champions Ligës është objektivi madhor i Juventusit dhe djemtë e Alegrit do të provojnë deri në fund për të vazhduar aventurën në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.

Trajneri është mërzitur me kritikat e mëdha, sikur të ishte ai fajtori i vetëm i humbjes përballë ekipit të Diego Simeones. Nga ana tjetër drejtuesit e “Zonjës së vjetër” po studiojnë alternativat e duhura për zëvendësimin e tij në fund të sezonit. Zinedin Zidan mbetet dëshira e madhe, por ditët e fundit janë rritur shanset e një tjetër trajneri.

Siç raporton “Corriere dello Sport”, bardhezinjtë mund të vendosin të rikthejnë Antonio Konten në stol. 49-vjeçari drejtoi kampionët e Italisë për tri sezone dhe fitoi tre tituj kampion e dy Superkupa Italie. Në vitin 2014 ai u largua mes polemikash nga ekipi për të marrë kombëtaren italiane. Më pas eksperienca me Çelsin, një titull kampion i fituar në Angli dhe tashmë… rikthimi në shtëpi.

Marrëdhëniet me drejtuesit e Juventusit dhe presidentin Anjeli janë përmirësuar me kalimin e kohës dhe ai është një kandidaturë e fortë për t’u ulur në stolin e ekipit nga Torino në sezonin e ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *