Alegri: Dibala dhe CR7 titullarë. Champions? Jeni fiksuar ju, jo unë!

Juventusi pret nesër Frozinonen në shtëpi, në një ndeshje që nuk parashikohet të krijojë vështirësi për djemtë e Alegrit. Bardhezinjtë do të luajnë të mërkurën duelin e parë kundër Atletikos së Madridit në “Wanda Mertropolitana”, një sfidë që po pritet me padurim nga të gjithë.

Maks Alegri ka folur gjatë në konferencën për shtyp, duke u përqendruar te ndeshja e kampionatit. Trajneri i Juventusit shpjegon me fakte se pse Frozinone nuk duhet nënvlerësuar, ndërsa sqaron dhe situatën e repartit difensiv.

Kreu i stolit konfirmon faktin që Dibala do ta nisë si titullar dhe nuk i kursen elozhet për argjentinasin. Në fund Aron Ramsej, konkurrenca në Champions, e ardhmja dhe teknologjia VAR.

FROZINONE – “Kristiano ka luajtur gjithmonë deri më tani, kështu që pse duhet të mungojë nesër? Për ndeshjen e Championsit? Të fiksuarit pas Champions Ligës jeni ju dhe jo unë. Ne duhet të mendojmë të mposhtim Frozinonen, sepse do të kemi një ndeshje më pak për objektivin e titullit. Mos të harrojmë që Frozinone ka fituar 3 ndeshje jashtë fushe pa pësuar gol dhe atë që ka ndodhur kundër këtij ekipi përpara tre vitesh. Duhet të luajmë një ndeshje serioze, për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e Championsit.”

MBROJTJA – “Barzalji është rikuperuar, por nuk luan prej 70 ditësh. Ai është gati për rininë e tretë dhe për momentin është në dispozicion të ekipit. Sa i përket Bonuçit, ai do të luajë, ndërsa Kielini mund të luajë një pjesë loje. Rugani ka marrë një goditje dhe gjendjen e tij do e vlerësojmë nesër. Nëse nuk luan, do të jetë Kaseres në formacion. Në të majtë mund të luajë Spinazola, por ai do të luftojë me De Siljon dhe Kanselon për dy poste titullari.”

MESFUSHA – “Ka shumë të ngjarë që Matuidi të mos luajë nesër. Për të tjerët nuk kam vendosur ende, por ka një garë katërshe për tre vende në formacion.”

DIBALA – “Paulo do të luajë kundër Frozinones. Numrat e tij janë mbresëlënës që kur ka ardhur te Juventusi. Tani nuk po arrin të shënojë shumë, por ai është një nga lojtarët më të mirë në qarkullim. Maska? Unë i përkas së vjetrës dhe nuk kuptoj asgjë. Zbavitem shumë sepse djemtë janë gjenialë. Ekipi po kalon një formë fizike shumë të mirë dhe të gjithë janë të përqendruar. Nga nesër nis një seri shumë e bukur ndeshjesh.”

RAMSEJ – “Nuk kam një gjykim teknik për të, sepse nuk e kam stërvitur akoma. Është e sigurt që Aron është një futbollist i madh, por ka kohë për të folur për lojtarët e sezonit të ardhshëm.”

CHAMPIONS – “Duhet të mendojmë për veten tonë dhe duhet të kalojmë turin përballë një skuadre shumë të vështirë si Atletiko Madrid. Reali vuajti kundër një Ajaksi të bukur. Edhe Totenhemi mund të tentojë për një vend në gjysmëfinale. Janë rreth 7-8 skuadra që kanë potencialin për të mbërritur në gjysmëfinale.”

E ARDHMJA – “Nuk ka asgjë të sigurt 100%. Kam kontratë me Juventusin, jam mirë, jam në vitin e pestë këtu dhe jam i lumtur për këtë. Për  momentin jam i përqendruar në atë që duhet të sjellim në shtëpi, duhet të marrim rezultate dhe trofe.”

VAR – “Jam i kënaqur, sepse është tepër i nevojshëm. Goli i Ajaksit nuk të anulohej në kushte normale. Por e përsëris që VAR-i është shumë i dobishëm dhe do të ndihmojë arbitrat.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *