Albi Doka, kapiteni që po shkëlqen te Tirana U-19

0

Mbrojtësi 18-vjeçar i skuadrës U-19 të bardhebluve është duke zhvilluar një sezon pozitiv nën urdhrat e trajnerit Astrit Hafizi, ndërsa ishte një ndër më të mirët në finalen e Kupës së Shqipërisë

Andi TANKU

Tirana U-19 dhe Partizani U-19 diskutuan të enjten e kaluar finalen e Kupës së Shqipërisë. Në “Qemal Stafa”, të kuqtë fituan 2-1 derbin dhe trofeun e parë të sezonit. Në fakt, niveli i ndeshjes së zhvilluar nga të dyja skuadrat ishte në kulmin e pozitives. Bardheblutë u munduan së tepërmi duke krijuar më shumë raste për shënim, por të kuqtë ishin më efikasë.

Edhe pse krijoi më pak, Partizani shënoi dy herë me Vllacajn dhe Likën, kundrejt një të realizuar nga Tirana, me autor Kristi Prendin. Paraqitje pozitive në këtë takim final të Kupës bënë shumë prej lojtarëve në fushë nga të dyja kampet. Një ndër ta ishte pa diskutim edhe kapiteni i Tiranës U-19, Albi Doka. I pozicionuar në krahun e djathtë të mbrojtjes, 18-vjeçari ishte i pakalueshëm nga kundërshtarët, por edhe një rrezik konstant për prapavijën e Partizanit.

-Albi Doka, para ndeshjes finales te Kupes se Shqiperise U-19: Tirana-Partizani 1-2

doka 2

Daljet e tij në krah dhe krosimet e sakta vunë në vështirësi mbrojtjen e kuqe, ndërsa grinta në fushën e lojës dhe roli i liderit që motivonte skuadrën e tij gjatë gjithë 90-minutave e bënë Dokën një nga më të dalluarit. Por finalja ndaj Partizanit nuk është ndeshja e vetme që 18-vjeçari ka shkëlqyer, pasi në rolin e titullarit në kampionat, ai është një “xhol” edhe për trajnerin Astrit Hafizi. Kjo për faktin se Doka mund të përshtatet në disa role, midis mbrojtjes dhe mesfushës. Për sa i përket finales së humbur ndaj Partizanit në Kupë, Doka shprehet kështu për “Sport Ekspres”:

“Ishim të pafat, ndërsa atmosfera në stadium ishte elektrizuese. Në fillim pata disi emocione, por me mbështetjen e tifozëve të mrekullueshëm bardheblu, emocionet u shuan. Ashtu siç na tha edhe trajneri Hafizi pas takimit, ky ishte vetëm fillimi i një eksperience të gjatë. Nga zhgënjimet mëson të bëhesh më i fortë”, pohon Doka, i cili për sa i përket rolit në fushën e lojës pranon se:

“Nuk është problem pozicioni, pasi gjithnjë mundohem të bëj detyrat që më jep trajneri si në mesfushë, ashtu edhe në mbrojtje. Mjafton të shkel fushën e gjelbër, të luaj dhe të fitoj sa më shumë eksperiencë të vlefshme për të ardhmen”.

-Albi Doka, para ndeshjes finales te Kupes se Shqiperise U-19: Tirana-Partizani 1-2

doka 1

Në fakt, trajneri Ilir Daja te Tirana ka afruar shumë lojtarë të rinj nga akademia, skuadrat e së cilës, si U-17 dhe U-19 kanë pësuar një hov me ritme të shpejta gjatë periudhës së fundit. Të gjithë në ambientin bardheblu kanë shpresën se gjeni dhe mentaliteti i skuadrës më të titullar në Shqipëri do të frymëzojë edhe të rinjtë e talentuar që gjenden në ekipet e moshave të Tiranës.

Për këtë temë, Albi Doka pranon: “Mendoj se skuadrat tona të moshave janë në një moment të mirë dhe ka elementë të talentuar. Gjithçka po funksionon dhe do të jetë në shërbim të klubit. Në aspektin personal do të bëj të pamundurën në fushën e lojës për të qenë pjesë e ekipit të të rriturve.

Në fund të fundit, ky është synimi dhe ëndrra ime, por jo vetëm e imja, sepse në skuadrën tonë kemi shumë elementë të talentuar”, përfundon 18-vjeçari, Albi Doka, i cili po spikat në këtë sezon me Tiranën U-19 nën urdhrat e trajnerit Astrit Hafizi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.