“Albania Open 2015”, fluturimet nisin nga Llogaraja

0

Startoi zyrtarisht edicioni i 16-të i “Albania Open”. Me mbështetjen speciale të Digitalb që synon promovimin e vlerave sportive dhe turistike të vendit tonë, 73 pilotë nga 11 vende të ndryshme zbarkuan në zonën e bregdetit për të nisur garimin që do të vazhdojë për 4 ditë rresht. Si risi në këtë garë këtë vit janë edhe femrat që janë regjistruar si pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Nisja nga Llogaraja në ditën e parë të fluturimeve evidentoi edhe këtë sezon një garë interesante, e cila nga lart shikon tërë perlën e rivierës së jugut, plazhet e Dhërmiut, Himarës e Vlorës. Në ditën e parë jo gjithçka shkoi sipas parashikimeve, sepse era që është edhe elementi kryesor për ngritjen në ajër, mungonte. Rreth mesditës situata u bë ideale dhe të gjithë garuesit nisën raundin e parë të disiplinës së preçizionit. 73 garues drejt qiellit për një kupë, por mbi të gjitha për të shijuar ndjenjën e lirisë që të jep qielli. Gjatë ditës së parë nuk munguan as incidentet, ku njëra prej garueseve e shtyrë nga era e fortë bëri një ulje të detyruar pak kilometra larg bregut, por me ndihmën e rojeve bregdetare situata u zgjidh brenda pak minutave. Pas ditës së parë në Llogara, garimi do të vazhdojë në Vlorë me start nga Qafa e Shashicës dhe finish në plazhin e ri.

Pjesëmarrësit – Oliver Cetkos është njëri prej shumë të huajve që përqafojnë çdo vit “Albania Open”. Bashkë me një grup të rinjsh ai ka udhëtuar drejt vendit tonë për të mos munguar as në edicionin e këtij viti. Ai thotë: “Kam ardhur në Shqipëri për herë të parë në vitin 2008. Është një vend fantastik për të fluturuar. Llogaraja është ideale dhe në të ardhmen mendoj se do të bëhet meka e fluturimit. Gjatë 3 ditëve të tjera do të garojmë në Vlorë. Në Llogara, problem kryesor mbetet ngritja, sepse era është e pamjaftueshme dhe në këtë aspekt, Vlora është një vend me ideal për të fluturuar”. Këtë vit risi është edhe pjesëmarrja e pilotëve nga Serbia. Tamara Casiç ndihet e lumtur për eksperiencën në “Albania Open”, duke pohuar: “Është hera e dytë që vij në Shqipëri dhe jam e lumtur që ndodhem këtu. Është një nga vendet më të bukura ku kam fluturuar”.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image