Alban Bushi flet për Brojën: Nëse e ka mendjen te futbolli, do krenohemi… që jemi nga vendi i Brojës

Një vlerësim i rrallë dhe si asnjëherë më parë ka ardhur nga trajneri Alban Bushi për Armando Brojën. Sulmuesi i Chelsea ishte i pandalshëm edhe në përballjen ndaj Kosovës, pavarësisht se dardanët sollën Xhemajlin nga ekipi i parë për të rritur sigurinë.

Ndërkohë në emisionin “Pressing”, trajneri i Shqipërisë U-21 është shprehur se nëse Broja do të vazhdojë në këtë mënyrë, atëherë do jetë nga sulmuesit më të mëdhenj që na ka përfaqësuar ne.

“Në 4 vitet e fundit ne kemi dërguar shumë futbollistë te Shpresat. Madje edhe tani kemi shumë elementë. Një prej tyre është edhe Armando Broja. Ai është një sulmues fantastik. Madje unë them edhe këtë, që nëse vazhdon të ketë mendjen te futbolli, nesër, pasnesër do të krenohemi në aeroport duke thënë: “Ne jemi nga vendi i Brojës”. E ndien veten shqiptar dhe do të luajë për ne. Do të jetë një nga sulmuesit më të mëdhenj të Shqipërisë”, ka thënë Bushi. /Sport Ekspres/