Alban Bushi është për një Kombëtare: Do ishim si Franca, hera parë që nuk bërtita për Kosovën

Shqipëria U-21 arriti të merrte tre pikët e para në grup për kualifikueset e Europianit, pasi mposhti Kosovën U-21 me rezultatin 2-1. Golat e Tafës dhe Mucollit ishin ato që vendosën edhe historikun e ndeshjes, duke e lënë realizimin e Baftiut vetëm si statistikë.

Në një intervistë pas ndeshjes për “RTK”, trajneri i kuqezinjëve, Alban Bushi, është shprehur se nëse Shqipëria dhe Kosova do të ishin një Kombëtare, atëherë do të ishte si Franca për futbollistët dhe kualitetet e mëdha që do ishin në stol.

“Ishte ndeshje me emocione dhe ne nuk e kishim marrë si vëllazërore në fushën e lojës, por jashtë saj. Ndeshjen e fitoi ekipi më i mirë. Në pjesën e parë ishim shumë mirë dhe mund ta zgjidhnim gjithçka më herët se Kosova, që kishte disa shanse në të dytën. Fitorja erdhi në momentin e duhur. Kosova ka prodhuar gjithmonë sportistë dhe ka gjeneratë të artë. Por edhe Shqipëria ka një gjeneratë të artë. Do të donim një Kombëtare, që të ishte super e mirë. Flas për anën profesionale.

Një Kombëtare do të ishte shumë e bukur. Por nga ana tjetër ka aq shumë talente që do të ngelnin jashtë dhe do të bëhej një Francë pastaj. Ne gëzohemi për Kosovën, Kosova gëzohet për ne. Të them të drejtën, unë është hera e parë që nuk kam gëzuar kur bëri gol Kosova, se gjithmonë kam bërtitur për të”, ka thënë Alban Bushi. /Sport Ekspres/